“Rreziku për rritje të inskenimeve të sulmeve”: Pse paralajmërimi i Kurtit sot është domethënës?
Kryeminsitri Albin Kurti e mbajti një fjalim domethënës për Banjskën në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës. Ishte fjalim domethënës sepse zbardhi disa të vërteta të dhimbshme për situatën e sigurisë në vendin tonë, e cila del se nuk është aq e mirë përkundër që agresioni i Serbisë më 24 shtator u krye me sukses.
Çka tha Kurti?
Kryeministri Kurti u shpreh se grupet terroriste ishin edhe më të motivuara tash për sulme terroriste. Ishin – sipas kryeministrit – edhe të dëshpëruara. Por, edhe të motivuara për shkak të Serbisë. Dëgjojini këto fjalë me vëmendje.
“Jemi 18 ditë pas sulmit paramilitar, terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit. Shumëçka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist dhe planet e tyre për aneksim të katër komunave në veri të vendit nuk do të neutralizoheshin që në aktin e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar. (1:39) Dokumentimi para syve të botës, i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb - përkatësisht presidencës, shërbimit të inteligjencës, ministrisë së mbrojtjes dhe ushtrisë serbe – në frymëzimin, përgatitjen, furnizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues. Lirimi i Millan Radojiçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje. Sepse më 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi.”
Ai ndau me qytetarët e vendit edhe disa inforamcione nga institucionet e sigurisë dhe inteligjencës e që ishin mjaft të ndjeshme.
“Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim tavan.”
Pra, këtu në rrezik sidomos ishte komuniteti serb i Kosovës. Bëhet fjalë për rrezikun e inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet kriminale të Serbisë. Kjo nënkupton që këto grupe do të bëheshin sikur Policia apo ndonjë organ tjetër i shtetit tonë do të sulmonte komunitetin serb të Kosovës.
Dhe shihni se çka thotë Kurti në fund: “Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim tavan.” Kjo nënkupton se ata për ta arritur këtë inskenim nuk do të zgjedhin fare çmim. Është pra, situatë shumë e rrezikshme.
Thirrja e kryeministrit Kurti ishte konkrete për bashkëqytetarët tanë serbë në Kosovë.
“...andaj ju bëj thirrje veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara e dashakeqe. Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara.” – u shpreh Kurti.
Kryeministri mund t’i thoshte këto fjalë edhe më herët. Zgjodhi ditën e sotme. Nuk e dimë saktë pse. Nuk tregoi saktë pse. Por, natyrisht, të gjithë qytetarët duhet të tregohen të përmbajtur. Krejtësisht të përmbajtur.
