‘Radikalizohet’ Konjufca, kërkon protektorat ndërkombëtar për Serbinë - NACIONALE

‘Radikalizohet’ Konjufca, kërkon protektorat ndërkombëtar për Serbinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, po qëndron në Gjermani, ku ka dhënë një intervistë për Deutsche Welle-n. Në intervistën për DW, Konjufca ka theksuar se ekziston rreziku për sulme të tjera, duke shtuar se një rrezik i tillë është për shkak “që Serbia po sulmon”. Në përgjigjet e tij, kryekuvendari ka thelluar kërkesat ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Çka tha Konjufca?

Në intervistën e tij, i pari i Kuvendit të Kosovës e vlerësoi situatën si alarmante.

“Natyrisht që jemi të alarmuar, sepse u sulmuam më 24 shtator: Ishte një sulm terrorist dhe akt agresioni i shtetit të Serbisë mbi Republikën e Kosovës. Sepse një grup i madh i armatosur hyri nga shteti i Serbisë brenda territorit tonë, e vrau policin Afrim Bunjaku, dhe plagosi të tjerë, me qëllimin e qartë që të aneksojë një pjesë të Kosovës… Rreziku është gjithmonë aty, por duhet ta kuptoni pse. Nuk është për shkak që ne po mbrohemi, por për shkak që Serbia po sulmon.” – deklaroi Konjufca.

Tutje, Konjufca deklaroi se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, bashkësia ndërkombëtare po bindet për potencialin e rrezikshëm destabilizues të Serbisë.

“Deri në 24 shtator mendimi ndoshta ka qenë ndryshe, por pas 24 shtatorit, të gijthë po binden që potenciali më i rrezikshëm i destabilizimit të krejt Ballkanit dhe Kosovës është Serbia. Sepse, e para ajo strehon grupe terroriste brenda, e dyta ka një lidhje të qartë të mbështetjes nga ushtria e Serbisë të këtij grupi, trajnimet, poligonet ku kanë ushtruar, bazat ushtarake, të cilat i kanë përdorur, armatimi, të cilin e kanë përdorur, ka një lidhje të drejtpëdrejtë me shtetin e Serbisë. Pra, instanca të caktuara të shtetit të Serbisë, bile unë supozoj deri edhe te presidenti, duhet ta kenë ditur për këtë sulm ndaj Kosovës.” – vlerësoi Konjufca.

Nënkryetari i VV-së ka kërkuar sanksionim të Serbisë. Madje, Konjufca i ka shtuar kërkesat, duke theksuar se Serbia “ka nevojë për një protektorat ndërkombëtar” dhe “në kuptimin e sigurisë, Sduhet të vendoset në karatinë”.

“Duhet të sanksionohet Serbia, kjo duhet të ndodhë patjetër. Në kuptimin e sigurisë Serbia duhet të vendoset në karantinë, pa e vendosur Serbinë në karantinë në kuptim ndërkombëtar, gjithmonë prej aty do të burojnë forca destabilzuese drejt Kosovës, drejt Bosnjës, edhe drejt Malit të Zi, bile. Këto tri shtete janë në shënjestër të Serbisë. Serbia ka nevojë për një protektorat ndërkombëtar. Ushtria e Serbisë, inteligjenca e Serbisë, ministria e Mbrojtjes ministria e puneve te Brendshme të Serbisë duhet të monitorohen nga vendet e BE-së, sepse këto institucione dalin në shtete të tjera e vrasin njerëz, siç na ndodhi neve me sulmin e 24 shtatorit.” – propozoi Konjufca.

Konjufca vlerësoi se Kosova po mendon të evitojë një sulm të ardhshëm nga Serbia, ndërsa dialogut politik do t’i vjë koha herëdokur.

“Nëse do ta thërrasin Vuçiçin në Bruksel me kryeministrin Kurti sa për ta bërë një fotografi, kjo, për besë, duket shumë e panevojshme në këto momente. Krejt çka është duke menduar Kosova tash është një gjë, që ta shumëfishojë forcimin e policisë dhe të institucioneve të sigurisë në atë pjesë të Kosovës. që ne ta evitojmë një sulm të ardhshëm që vjen nga Serbia. Kjo është ajo për të cilën ne po mendojmë tash për tash. E dialogut politik mendoj që do t'i vijë koha herëdokur.” – sqaroi Konjufca.

Konjufca e ka përsëritur kërkesën pë ekstradimin e Milan Radojiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që e pranoi se ishte udhëheqës i grupit të armatosur që kreu sulmin terrorist më 24 shtator.

"Por ne si Kosovë themi që ata duhet të ekstradohen në Kosovë, ata duhet të gjykohet në Kosovë. Serbia duhet ta dorëzojë Radoiçiqin para institucioneve tona, që ai të gjykohet atje dhe ta merr denimin e merituar." - deklaroi Konjufca.

Lajme të ngjashme