A ka vdekur përnjëmend Asociacioni, siç po thotë Gërvalla? - NACIONALE

A ka vdekur përnjëmend Asociacioni, siç po thotë Gërvalla?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në mendjen e Donika Gërvallës, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka “vdekur”. Megjithatë, ndërkombëtarët, më saktësisht ShBA-ja, po vazhdon ta përsërisë kërkesën për ta themeluar Asociacionin. A ka vdekur përnjëmend Asociacioni, siç po thotë Gërvalla?

Në fakt, ka dy mendime për këtë çështje. Mendimi i parë është i Gërvallës, sipas së cilës Asociacioni ka vdekur, ndërsa mendimi i dytë është ai i ShBA-së, vend i cili e ka përsëritur nevojën për themelimin e Asociacionit.

Ditë më parë, zonja Gërvalla foli për Asociacionin në një emision në Shqipëri. Përveç në emrin e saj, Gërvalla foli edhe në emër të ndërkombëtarëve. Sipas Gërvallës, Asociacioni ka vdekur për Kosovën dhe për ndërkombëtarët pas sulmit terrorist në Banjskë, ku një polic kosovar ra në krye të detyrës, ndërsa u vranë tre terroristë.

“Të them të drejtën, pas së dielës, çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt, se pas së dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime: të mos e shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues. Asociacioni i 2013-shit është kundër kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet. Eskobari shumë qartë ka përcaktuar se nuk mund të ketë Asociacion, pasi mund të jetë një republikë e dytë serbe” - deklaroi Gërvalla, transmeton Nacionale.

Sidoqoftë, ndërkombëtarët, në emër të së cilëve foli Gërvalla, po këmbëngulin në themelimin e Asociacionit. Më saktësisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përsëritur kërkesën për themelimin e Asociacionit edhe pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Madje, për ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ngjarja e 24 shtatorit nuk do të ndodhte, nëse palët do t'i kishin zbatuar plotësisht detyrimet e tyre, sipas Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit Zbatues. Tutje, Asociacioni “duhet të ndodhë urgjentisht”, deklaroi ditë më parë Hovenieri në një intervistë për medien amerikane “Bloomberg”.

“Sigurisht që ngjarjet e 24 shtatorit kanë krijuar më tej një mjedis që është më pak i favorshëm që dy liderë të ulen së bashku nën lehtësimin e BE-së dhe të arrijnë në një mirëkuptim të përbashkët. Por ngjarjet e 24 shtatorit nënvizojnë gjithashtu se sa urgjente është kjo. Më duhet të besoj se nëse të dyja palët do t'i zbatonin plotësisht detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit Zbatues, rrethanat që i pamë më 24 shtator nuk do të ndodhnin. Dhe kështu, nga këndvështrimi ynë, është jetike, është urgjente të kthehemi në një proces” – deklaroi Hovenieri.

Në të njëjtën linjë është edhe ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, i cili deklaroi se Banjska nuk do të ndodhte, sikur të kishte një marrëveshje politike.

“Pikëpamja ime është që ne duhet ta dimë çka ndodhi dhe arsyeja se pse ne të gjithë duhet ta dimë çka ndodhi është që ne duhet të sigurohemi që kjo s’do të ndodhë përsëri. Por çështja më fundamentale për të gjithë është se këto lloj gjërash nuk do të ndodhnin, nëse ka një marrëveshje politike. Dhe kjo ujdi politike përbëhet nga disa elemente shumë mirë të njohura. Njëra nga to është Asociacioni i Komunave Serbe, dhe tjetri është që jep më shumë mundësi ndërkombëtare për Kosovën” – deklaroi Hilli të mërkurën para gazetarëve në Beograd, transmeton Klan Kosova.

Kujtojmë që presidentja kosovare, Vjosa Osmani, ka dhënë një propozim në lidhje me Asociacionin pak ditë pas sulmit në Banjksë, duke deklaruar se duhet të hartohet një statut i këtij organi dhe të paraqitet para udhëheqësve në ShBA.

“Nga fillimi kam thënë që nuk shoh sukses pa involvimin direkt të Amerikës në këtë proces, dhe këtë e dëshmon historia. Në secilin proces në krejt Ballkanin, në veçanti në Kosovë, nëse Amerika nuk e merr rolin udhëheqës, atëherë është problem të kemi sukses në të ardhmen. Për të bërë një kthesë të rëndësishme në ditët dhe muajt në vijim, duhet të ulemi me Amerikën që propozimin tonë në përputhje me ato parime ta prezantojmë para liderëve të Amerikës dhe, natyrisht, të merremi vesh me ta se cilët do të jenë hapat tutje. Nuk besoj që e pranon Serbia propozimin që është në përputhje me Kushtetutën, por nuk mund të shkojmë përtej kësaj” – deklaroi Osmani.

Lajme të ngjashme