Shefi i EULEX-it: Prania e Policisë Speciale në veri është pakësuar "jashtëzakonisht shumë"
Shefi i misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano ka thënë se numri i Njësisë Speciale të Kosovës në veri është reduktuar jashtëzakonisht shumë. Në një intervistë për “Euronews Serbia”, ai është deklaruar edhe mbi pretendimet për keqtrajtim të qytetarëve serbë të arrestuar, fatkeqësisht, duke mos i mohuar ato.
Barbano në këtë intervistë fillimisht u shpreh se e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të reduktuar numrin e policisë, derisa theksoi se pret që të reduktohet edhe më shumë.
“Misioni e ka mirëpritur njoftimin e policisë së Kosovës dhe autortieteve të Kosovës për të reduktuar prezencën e policisë pranë objekteve komunale në veri prej 25 për qind, dhe presim që të ndihmojmë tutje për ta reduktuar këtë prezencë edhe për 25 për qind.” – deklaroi ai.
Prezenca u reduktua jashtëzakonisht shumë
Duke folur për planin evropian rreth deeskalimit të situatës në veri, ai ka thënë se Njësia Speciale atje u reduktua “jashtëzakonisht shumë”.
“Në vlerësimin tonë, prania e Policisë Speciale të Kosovës në veri është reduktuar jashtëzakonisht shumë dhe ky ishte hapi i parë i ndërmarrë nga autoritetet në Prishtinë. EULEX-i gjithashtu ka shtuar praninë e tij në veri – tani keni patrullat e dukshme që synojnë të plotësojnë boshllëkun e krijuar pas shkarkimit të policëve serbë nga puna në fund të majit 2023.” – tha ai.
Pretendimet për keqtrajtim
Duke folur për serbët që u mbajtën në paraburgim nga institucionet e Kosovës, ai ka thënë se deri më tani “nuk kanë pasur ndonjë ankesë për trajtimin nga stafi në Kosovë”.
Ai po ashtu i është referuar edhe raportti të Dejan Paviceviq, i cili kishte deklaruar se serbët që protestuan dhe u arrestuan, “ishin rrahur nga Policia e Kosovës”.
Siç shkruan “Euronews”, “ai e konfirmoi këtë”, por shtoi se lëndimet kanë ardhur gjatë “fazës së arrestimit”.
“Policia e Kosovës tha se kjo ndodhi për shkak se ata rezistuan. Sigurisë, autoritetet gjyqësore janë duke i hetuar këto çështje. EULEX ka dorëzuar një raport të zyrtarët e BE-së për këtë situatë dhe hetimi po vazhdon ende.” – u shpreh ai.
Po ashtu, Barbano citohet të ketë thënë se EULEX ka reaguar për “shkeljen e të drejtave të njeriut kur ndodhi publikimi i fotografive të personave të arrestuar, po ashtu edhe vendosja e kapelave në kokat e tyre gjatë arrestimit”.
“Sipas të gjeturave tona dhe raporteve, ne besojmë që ka mundur të ketë pasur një trajtim të keq të personave që janë mbajtur dhe mosrespektim të praktikave ndërkombëtarë. Në këtë situatë, ne kemi folur më shumë në mënyrë që të respektohen të drejtat e njeriut dhe të jemi në gjendje t’i përgjigjemi kësaj situate. Sigurisht, këto çështje nuk zgjidhen direkt nga EULEX-I sepse nuk e kemi këtë autoritet që nga viti 2018. Sidoqoftë, të gjitha të gjeturat e vështrimeve tona janë dërguar te autoritetet kompetente.”’ – citohet të ketë thënë ai.
Këto deklarata të shefit të EULEX-it, vijnë pas takimit që ky i fundit zhvilloi dje me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Në këtë takim mori pjesë komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

