ShBA thotë se “po frenohet” mundësia që t’i ndihmohet Kosovës, çon mesazh të kihen parasysh “interesat afatgjate” - NACIONALE

ShBA thotë se “po frenohet” mundësia që t’i ndihmohet Kosovës, çon mesazh të kihen parasysh “interesat afatgjate”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Prej fjalës ‘kufizim’ Shtetet e Bashkuara të Amerikës kapërcyen në fjalën ‘frenim’ për të përshkruar atë që tashmë për gatise dy vite e kanë përshkruar se Kosova “po ia bën të vështirë” ShBA-së të avokojë për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Këto (veprime të pakoordinuara) na frenojnë t’i ndihmojmë Kosovës që të sigurojë të ardhmen më të ndritshme për mbarë popullin e saj”.

Kështu reagoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një deklarate rreth mbylljes së disa zyreve të strukturave paralele të administruara nga Serbia në Kosovë: gjë të cilën, ShBA e kundërshtoi – duke shtuar madje se “po dobësohet besimi në marrëdhëniet tona” bilaterale.

Për njëzet e pesë vite kemi investuar me të madhe në Kosovë, duke punuar në partneritet me liderët e saj për të jetësuar interesat tona të përbashkëta afatgjate”, thanë nga Ambasada e ShBA-së.

“Veprimet e vazhdueshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht tek qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe minojnë aspiratat e Kosovës për t'iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.

“Këto çështje duhet të menaxhohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në mënyrë që të avancojë normalizimin dhe integrimin e Kosovës si një demokraci moderne, multietnike, evropiane dhe të mbrojë mirëqenien e qytetarëve të saj”, thuhet në komunikatë.

Bashkimi Evropian madje – në një reagim për mbylljen e këtyre strukturave paralele – la të nënkuptojë se masat ndëshkuese do të mbeten në vend, pavarësisht asaj që në konkluzionet e BE-së është parafolur heqja “graduale” e tyre.

“Përderisa, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të vitit 2024 për zgjerimin, BE-ja gradualisht do të heqë masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri, këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”, u tha në komunikatën e BE-së.

Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i është duke monitoruar sjelljen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij”, vazhdon komunikata.

Statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me detyrimet e saj në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të saj të fundit ndaj tij”.

Aksioni për mbylljen e këtyre strukturave paralele, siç lajmëroi Ministri i Punëve të Brendshme, u bë me urdhër politik pa marrë autorizim nga prokuroria e vendit. Kjo u kofirmua edhe nga Policia e Kosovës, të cilët thanë që urdhërin ta kenë marrë nga Ministria e Administrit të Pushtetit Lokal.

Prokuroria Themelore në Prishtin u lajmërua për rastin duke thënë se nuk ka marrë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerje të aksionit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione (...)

(...) për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. “ – thuhet në komunikatë.

Madje në komunikatën e Prokurorisë thuhet se “me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi.”.

Lajme të ngjashme