ShBA për “UFO”-t: S’ka prova se ishin për spiunim, mund të jenë balona “të mirë”
Tre objekte të paidentifikuara të rrëzuara nga avionët luftarakë amerikanë që nga e premtja mund të rezultojnë të jenë balona të lidhura me përpjekjet "dashamirëse" komerciale ose kërkimore, ka thënë të martën një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, ka thënë se ShBA nuk ka gjetur asnjë provë për të lidhur këto objekte me programin e vëzhgimit të balonave te Kinës dhe as me programin e spiunazhit të ndonjë vendi tjetër.
“Ne nuk kemi parë ndonjë tregues apo ndonjë gjë që tregon në mënyrë specifike idenë se këto tre objekte ishin pjesë e programit të spiunazhit (të Republikës Popullore të Kinës), ose se ato ishin përfundimisht të përfshira në përpjekjet për mbledhjen e inteligjencës së jashtme,” – ka thënë ai.
Kirby ka shtuar se në vend të kësaj, një "shpjegim kryesor" mund të jetë se objektet janë operuar privatisht për qëllime komerciale ose kërkimore, megjithëse askush nuk ka dale ende për të pranuar pronësinë.
Objekti i paidentifikuar i rrëzuar nga një avion luftarak amerikan mbi Kanadanë veriore të shtunën ishte një “tullumbace e vogël, metalike me një ngarkesë të lidhur poshtë saj”, sipas një memo të Pentagonit për ligjvënësit amerikanë të siguruar nga CNN.
Detajet rreth objektit misterioz – një nga tre të rrëzuara nga ShBA-ja në një periudhë tetë-ditore pasi një balonë e dyshuar spiune kineze përshkoi territorin e ShBA-së dhe u rrëzua mbi Oqeanin Atlantik më 4 shkurt – vijnë mes zhgënjimit në rritje për mungesën e informacioneve nga administrata presidenciale e Joe Biden.
Në memorandum më tej thuhet se, objekti i rrëzuar mbi Alaskë të premten ishte "madhësia e një makine të vogël", ndërsa paralajmërohet kundër nxjerrjes së përfundimeve të nxituara:
"Nuk duhet të supozohet se ngjarjet e ditëve të fundit janë të lidhura".
Objekti i fundit, i rrëzuar mbi liqenin Huron të dielën është përshkruar më parë si një "strukturë tetëkëndore".
