Mister për objektin e paidentifikuar që u rrëzua nga Amerika në Alaskë
Objekti i lartësisë së lartë që është i madh sa një veturë e vogël u rrëzua të premten por se kush qëndronte prapa tij dhe çfarë qëllimi kishte ende nuk dihet.
Edhe më tej ka pikëpyetje pasi qeveria amerikane rrëzoi dy objekte të lartësisë së madhe, njërin afër Deadhorse në Alaskë dhe tjetrin në Yukon të Kanadasë.
Të dy objektet vazhdojnë të mbesin të paidentifikuar.
Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau shkroi në Twitter të dielen pasdite që kishte dhënë urdhër të bëhej rrëzimi i objektit të paidentifikuar në hapësirën ajrore të Kanadasë, raporton The Guardian.
Megjithë përpjekjet nga autoritete të ndryshme amerikane për ta rikuperuar objektin në Alaskë, zyrtarët ende nuk kanë identifikuar pronarin apo qëllimin e tij.
Ndërkohë, Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore në Amerikën e Veriut (NORAD) ka konfirmuar se edhe një tjetër objekt fluturues ishte detektuar mbi Kanadanë veriore. Zyrtarët amerikanë nuk e kanë komentuar ende publikisht objektin e parë në Kanada.
Presidenti i ShBA-ve Joe Biden iu tha shkurtimisht gazetarëve të premten se rrëzimi i objektit “ishte sukses” por pa ofruar detaje të reja.
Sapo ishte parë, zyrtarët menjëherë e kishin cilësuar objektin si kërcënim për trafikun ajror civil dhe kishin urdhëruar hapësirën ajrore në Alaskë që të mbyllej përkohësisht.
Fox News raportoi të shtunën duke e cituar një zyrtar të lartë amerikan se objekti nuk ishte detektuar derisa ishte futur në hapësirën ajrore amerikane.
Objekti, që u rrëzua në ujërat territoriale, ishte pa njerëz brenda, thanë zyrtarët.
Edhe më tej nuk ka përshkrime publike të objektit, përveç madhësisë, lartësisë në të cilën fluturonte dhe shpejtësisë. Megjithatë, zyrtarët kanë spekuluar në shumë raportime për natyrën e këtij objekti.
Një zyrtar i tha ABC News-it se objekti ishte “cilindrik dhe në ngjyrë gri e të argjendtë”.
Nga këto përshkrime del se objekti që po fluturonte mbi Alaskë ishte shumë më i vogël se sa baloni kinez i spiunazhit që po ashtu ishte rrëzuar javën e kaluar.
Senatorja republikane e Alaskas, Lisa Murkowski, i ka thënë NBC News-it të premten se ishte e shqetësuar lidhur me kërcënimin e paraqitur nga objektet mbi hapësirën ajrore të shtetit të saj.