ShBA-ja pritet që ta arrijë kufirin e borxhit publik të enjten, pasojat mund të jenë globale - NACIONALE

ShBA-ja pritet që ta arrijë kufirin e borxhit publik të enjten, pasojat mund të jenë globale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretarja e Thesarit e Shteteve të Bashkuara, Janet Yellen, e njoftoi Kongresin të premten se vendi i saj pritet që ta arrijë kufirin e borxhit të enjten dhe pastaj do t’u drejtohet “masave të jashtëzakonshme” për ta shmangur dështimin për pagimin e borxhit.

Në një letër që ua dërgoi udhëheqësve të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, zonja Yellen tha se veprimet e saj do të blejnë kohë derisa Kongresi të miratojë legjislacion që ose do ta rrisë nivelin e borxhit publik prej 31,4 trilionë dollarësh, ose do ta pezullojë atë përsëri për një periudhë kohore. Megjithatë, ajo tha se është “kritike që Kongresi të veprojë me kohë”.

“Dështimi për t’i përmbushur obligimet e qeverisë do t’u shkaktonte dëm të pandreqshëm ekonomisë së ShBA-së, jetesës së të gjithë amerikanëve dhe stabilitetit financiar global”- tha zyrtarja e lartë amerikane.

“Në të kaluarën, edhe rreziqet që qeveria amerikane mund të dështojë për t’i përmbushur obligimet e veta, kanë shkaktuar dëme të vërteta, përfshirë rënien e shkallës së vetme të kreditit në historinë e vendit tonë më 2011”- shtoi ajo. Zonja Yellen iu referua ngërçit të kufirit të borxhit gjatë presidencës së presidentit të atëhershëm, Barack Obama, kur republikanët gjithashtu porsa e kishin fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në përbërjen e re të Kongresit, debati për kufirin e borxhit publik pothuajse me siguri do të nxisë një përballje politike mes ligjvënësve të rinj të Partisë Republikane, të cilët tash e kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe të cilët duan që t’i ulin shpenzimet, dhe presidentit Joe Biden e ligjvënësve të Partisë Demokratike, të cilët e kishin gëzuar kontrollin njëpartiak të pushtetit gjatë dy viteve të kaluara.

Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se nuk do të lejojë që kredia e vendit të mbahet peng i kërkesave të ligjvënësve opozitarë, raporton agjencia “Associated Press”.

“I kemi parë republikanët dhe demokratët duke u bërë bashkë për t’u marrë me këtë çështje. Kjo është njëra prej gjërave themelore me të cilën duhet të merret Kongresi dhe ajo duhet të bëhet pa kushte”- tha të premten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Departamenti i Thesarit i kishte përdorur për herë të parë masat e jashtëzakonshme më 1985 dhe prej asaj kohe të paktën edhe 15 herë të tjera, sipas Komitetit për Buxhet të Përgjegjshëm Federal.

Në këto masa përfshihen shitja e disa pagesave, si kontributet për planet e pensionimit të punëtorëve federalë për të krijuar hapësirë për kryerjen e pagesave të tjera që vlerësohen thelbësore, përfshirë ato për Sigurimin Social dhe instrumentin e borxhit.

Parashikimet në të kaluarën linin të kuptohej se dështimi për ta paguar borxhin publik do të mund ta zhyste vendin shpejt në recesion, pikërisht në momentin e ngadalësimit të rritjes globale, kur ShBA-ja dhe një pjesë e madhe e botës po ballafaqohen me inflacionin e lartë për shkak të pandemisë dhe të pushtimit rus të Ukrainës. Tregjet financiare do të mund të falimentonin dhe miliona punëtorë do të mund të mbeteshin pa punë.

Lajme të ngjashme