BE-ja drejt luftës tregtare me ShBA-në, Von der Leyen paralajmëron masa javën e ardhshme - NACIONALE

BE-ja drejt luftës tregtare me ShBA-në, Von der Leyen paralajmëron masa javën e ardhshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy vjet pas zgjedhjes së Joe Bidenit president në ShBA, duke pritur që ai t’i rivendoste marrëdhëniet trans-atlantike me Bashkimin Evropian, në Evropë ka zhgënjim. Udhëheqësit e BE-së po flasin haptas për luftëra, jo vetëm për miqësi.

Associated Press

Ata thonë se konflikti me Uashingtonin është gjëja e fundit që e dëshirojnë, kur në pragun e tyre, në Ukrainë, lufta po vazhdon dhe kur vendosmëria e përbashkët është jetike për ta ndalur Rusinë. Sidoqoftë, paratë janë kërcënim për këtë unitet, shkruan agjencia “Associated Press”, përcjell gazeta “Nacionale”.

“Ne tashmë kemi luftë në Evropë. Gjëja e fundit që na nevojitet, është një luftë tregtare” – u tha të mërkurën ligjvënësve nënpresidentja e Komisionit Evropian, Margrethe Vestager.

Evropianët po debatonin për politikat e Shteteve të Bashkuara, të cilat nga shumë zyrtarë në bllokun me 27 shtete shihen si veprime që padrejtësisht po e mbajnë jashtë tregut fitimprurës amerikan njërin nga aleatët më të vjetër e më të besueshëm.

Thelbi i mosmarrëveshjes është Akti për Uljen e Inflacionit i ShBA-së, plan me vlerë të 369 miliardë dollarëve, i cili e favorizon teknologjinë klimatike të prodhimit amerikan përmes subvencioneve dhe që, sipas BE-së, do t’i diskriminojë në mënyrë të padrejtë kompanitë e saj.

Partnerët trans-atlantikë për një kohë të gjatë janë krenuar me tregtinë e lirë, të pakufizuar nga subvencionet e gjera dhe masat mbrojtëse. Brukselit po i duket se Uashingtoni, me këtë ligj, po e tradhton frymën e konkurrencës së drejtë.

“Elemente të Aktit për Uljen e Inflacionit rrezikojnë që ta prishin barazinë e fushës së lojës dhe të bëjnë diskriminim ndaj kompanive evropiane” – u shkroi udhëheqësve të BE-së presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para samitit të tyre të fundvitit.

Përderisa marrëdhëniet trans-atlantike duhet ta betonojnë aleancën e tyre përderisa ballafaqohen me Rusinë dhe me një Kinë gjithnjë më kategorike, ka shumë shenja të zgjerimit të përçarjes. Kjo është edhe më e befasishme, për shkak se udhëheqësit evropianë e mirëpritën ardhjen e Bidenit në pushtet para dy vjetëve si kthim te marrëdhëniet e ngrohta e përkushtimi i përbashkët pas katër vjetëve të lidhjeve të përçara gjatë pushtetit të Donald Trumpit.

Mosmarrëveshjet tregtare kanë qenë vijë e kuqe me dekada në marrëdhëniet trans-atlantike, të vëna në pah nga betejat për subvencionet për prodhimin e aeroplanëve dhe eksportin e çelikut e duke prekur gjithçka, nga mishi i lopës, i trajtuar me hormone, deri te eksportimi i likerit.

Subvencionet e planifikuara me Aktin për Uljen e Inflacionit, i miratuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në gusht, janë veçanërisht të pakëndshme për Bashkimin Evropian. Për shembull, blerësit e veturave elektrike mund të përfitojnë ulje taksash deri në 7.500 dollarë, nëse vetura lëviz me bateri të prodhuar në Amerikën Veriore dhe nëse mineralet janë nxjerrë ose janë ricikluar në këtë kontinent.

Bashkimi Evropian ka dhënë shenja për kundërpërgjigje në garën me subvencione. Udhëheqësja e organit ekzekutiv të BE-së tha se do të propozojë plane fillestare muajin e ardhshëm.

“Ne duhet ta japim përgjigjen tonë, Aktin tonë evropian për Uljen e Inflacionit. Ne duhet të sigurohemi që ndihma për investime dhe lirimi nga taksat të arrijë te sektorët e përfshirë më lehtë dhe më shpejtë”- tha zyrtarja e lartë evropiane.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme