ShBA-ja e Rusia i mbajnë lidhjet – javën e ardhshme pritet ambasadorja e re në Moskë - NACIONALE

ShBA-ja e Rusia i mbajnë lidhjet – javën e ardhshme pritet ambasadorja e re në Moskë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov, do të mbajë një takim me ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara në Moskë, Lynne Tracy, në fillimin e javës së ardhshme, raportoi të shtunën agjencia e lajmeve, RIA.

Tracy arriti në Moskë para disa ditëve. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha të premten se ambasadorja e re amerikane nuk do t’i përmirësojë marrëdhëniet mes dy shteteve për shkak të asaj që ajo e quajti “luftë hibride” të vazhdueshme të Uashingtonit kundër Moskës.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë rënë në nivel shumë të ulët që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës para gati një viti. Rusia e ka paraqitur këtë luftë si ballafaqim me asaj që e cilëson aleancë agresive e ekspansioniste të NATO-s, ndërsa Kievi dhe aleatët e tij i quajnë veprimet e Rusisë marrje e paprovokuar e territorit.

Sipas zëvendësministrit Ryabkov, është arritur marrëveshje që ambasadorja Tracy ta bëjë paraqitjen tradicionale të letrave kredenciale gjatë takimit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, pas një kohe ngurrimi, ka njoftuar se do ta furnizojë Ukrainën me tanke të avancuara të tipit “Abrams”. Moska e ka quajtur këtë veprim përfshirje të drejtpërdrejtë të Perëndimit në konflikt.

Përpos Shteteve të Bashkuara, tanke Ukrainës i kanë premtuar edhe Gjermania dhe disa shtete të tjera që kanë tanke të prodhimit gjerman, “Leopard”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se tanket evropiane në Ukrainë do të digjen si të gjitha të tjerat dhe se ato vetëm janë shumë të shtrenjta.

Lajme të ngjashme