ShBA-ja e BE-ja "të zhgënjyer" me thirrjet që serbët të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë - NACIONALE

ShBA-ja e BE-ja "të zhgënjyer" me thirrjet që serbët të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur zhgënjimin e tyre ndaj thirrjeve për bojkotim të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë nën pretendimet e Listës Serbe se pjesëmarrja në “proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë". Perëndimi inkurajoi komunitetin serb të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë si një proces i domosdoshëm "për të ndihmuar në marrjen e informuar të vendimeve politike" dhe "shpërndarjen e drejtë të burimeve".

Departamenti amerikan i Shtetit ka inkurajuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në mënyrë aktive në këtë proces, duke e parë atë si një hap të rëndësishëm për sigurimin e të dhënave të sakta për shpërndarjen e drejtë të burimeve dhe planifikimin e politikave të tjera qeveritare.

“Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë plotësisht në regjistrimin e popullsisë. Një regjistrim i saktë mundëson shpërndarjen e drejtë të burimeve shtetërore për të gjithë qytetarët. Ne njohim përgjegjësinë dhe autoritetin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar procesin e regjistrimit të popullsisë”, tha një zëdhënës i DASH-it për REL.

Në të njëjtën linjë, Bashkimi Evropian ka theksuar rëndësinë e të dhënave të sakta për të ndihmuar në planifikimin dhe vendimmarrjen politike, duke e cilësuar procesin e regjistrimit të popullsisë si një mjet për adresimin e nevojave të ndryshme të grupeve të ndryshme demografike brenda Kosovës.

“Sigurimi i të dhënave më të reja për popullsinë ka rëndësi të veçantë pasi nuk është vetëm për të siguruar shpërndarjen e drejtë të mjeteve për komunat, por edhe për të ndihmuar në marrjen e informuar të vendimeve politike, planifikimet për shërbimet publike dhe adresimin e nevojave të ndryshme të grupeve të ndryshme demografike brenda popullatës”, tha BE-ja.

Thirrje Listës Serbe për të ndalur “dezinformatat” dhe “presionin qytetarëve të komunitetit serb” u bëri edhe Qeveria e Kosovës.

“Ai [votimi i 21 prillit] është rezultat i kërkesës dhe nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarë të Republikës së Kosovës, banorë të këtyre katër komunave. Udhëzimi administrativ që parasheh mundësinë e largimit të kryetarëve të komunave, respekton vullnetin politik të qytetarëve”, tha Qeveria e Kosovës përmes një përgjigjeje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Lista Serbe bëri të ditur të premten se serbët e Kosovës do të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë në Kosovë i cili filloi me 5 prill.

"Proceset e organizuara nga [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës”, thuhej mes tjerash në reagimin e Listës Serbe.

Lajme të ngjashme