Shantazh? Edhe eksponentë opozitarë e sulmojnë Lajçakun për fjalët e tij pas takimit me Kurtin - NACIONALE

Shantazh? Edhe eksponentë opozitarë e sulmojnë Lajçakun për fjalët e tij pas takimit me Kurtin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Emisari special i BE-së, Mirosllav Lajçak, është takuar sot me kryeministrin Kurti pas përplasjeve në distancë në lidhje me ekipin menaxhues dhe ka ‘lëshuar’ fjalë të rënda. Por, atij i kanë ardhur reagime edhe nga eksponentë të opozitës vendore.

Fillimisht, ta nisim me ato që i tha z. Lajçak.

Mesi, konfrontimi

Lajçak e takoi kryeministrin e Kosovës në orën 7 e 30 të mëngjesit. Pas takimit, ai doli para gazetarëve dhe lëshoi deklarata mjaft të rënda, prej të cilave ishte edhe kjo si vijon:

“Mund të kemi ose normalizim, ose konfronim,”tha ai në deklaratën e parë.

Në një tjetër, ai përforcoi deklaratën e mëparshme që e quante “pikënisje të mirë” propozimin skandaloz të ekipit menaxhues për statutin e Asociacionit të bërë më 2 maj në Bruksel.

“Roli ynë si lehtësues është gjithnjë të gjejmë mesin, dhe bash këtë gjë po provojmë ta bëjmë,”

Të gjejmë mesin mes Republika Srpskas dhe draft-vizionit të Kurtit? Jo falemnderit, mund të ketë thënë edhe ish-kryeministri Isa Mustafa.

Isa Mustafa

Mustafa nuk i ra rrotull në deklaratat e tij. Ai e quajti deklaratën e parë të z. Lajçak si “jodiplomatike”

“Është një deklaratë jodiplomatike. Ndërmjet normalizimit dhe konfrontimit ka shumë rrugë, variante dhe alternativa.”u shpreh ai.

Ndërkohë, duke qenë nënshkrues i marrëveshjes së 25 gushtit për parimet bazë të Asociacionit ai kishte se çka të thoshte edhe për “gjetjen e mesit” me draft-statutin e ekipit menaxhues në skaj.

“Draft-statuti i dorëzuar në Bruksel nuk është bazë e normalizimit. Është një pamflet që s’ka asnjë lidhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe me dokumentin për parimet e vitit 2015,” – tha ish-kryeministri i vendit.

Se si mund të vinte puna që të prezantohej një draft që shkelte mbi parimet e vitit 2015, mund ta dijë vetëm kryeministri Kurti.

Por, ndaj deklaratave të Lajçakut reagoi edhe një deputet i PDK-së.

Hisen Berisha

Ai reagoi ndaj deklaratës se mund të kishim “ose normalizim ose konfrontim” duke e quajtur shantazh.

“Mos shantazho z. Lajçak,” – tha Berisha, derisa më vonë tha se shqiptarët ishin të gatshëm për luftë dhe se mund të depërtonin edhe në Nish, Kurshumli, Rashkë e Sanxhak.

Këto deklarata të Berishës bënë jehonë edhe në mediet serbe.

Shemsi Jashari

Se Kosova po shantazhohej nga deklaratat e z. Lajçak e tha edhe Shemsi Jashari, aktivist i shoqërisë civile.

“Deklarata se nëse nuk ka marrëveshje mund të ketë trazira e konflikte është presion i drejtpërdrejtë e mund të quhet edhe shantazh ndaj Kosovës. Është thelbësore që Kosova të mos lejojë të dalë jashtë kushtetutshmërisë së saj pasi do të hapte një shteg që nuk e kontrollon dot më,”tha ai.

Dy partitë e mëdha opozitare, PDK e LDK, kanë qenë të heshtura sot pas deklarimeve të z. Lajçak. Megjithatë, ky i fundit paradite udhëtoi drejt Mitrovicës ku takoi kryetarin e kësaj komune nga partia e parë pasi “ishte i interesuar për perspektivën e tij”.

Lajme të ngjashme