Serbia shpall tri ditë zie për nxënësit e vrarë, thuhet se sulmuesi ishte përfshirë në një rast dhune
Ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq, ka njoftuar se autoritetet kanë shpallur tri ditë zie në vend, nga e premtja deri të shtunën, për rastin e vrasjes së tetë nxënësve dhe një roje nga një nxënës në një shkollë të Beogradit.
Para fillimit të konferencës për gazetarë, një minutë heshtje u mbajt për t’i nderuar viktimat e sulmit. Kur u pyet nëse sulmuesi ishte viktimë e dhunës nga shokët, siç thanë disa prindër, ministri tha se ka të dhëna për përfshirjen e sulmuesit në një rast.
“Ka të dhëna nga Tirshova dhe nga Qendra për Punë Sociale. Ka të bëjë me një prerje në buzë që ndodhi në një shkollë private, e cila nuk është pjesë e sistemit arsimor. Mbi këtë bazë, nuk mund të konkludohet se veprimet e mëtejme kanë qenë të nevojshme, në aspektin e zgjidhjes së ndonjë problemi që ka ndodhur me atë fëmijë”- tha ministri Ruzhiq.
Ai shtoi se është i dukshëm efekti i dëmshëm i video-lojërave dhe i vlerave perëndimore dhe se është e qartë për të gjithë se nevojitet ashpërsim i konsiderueshëm i masave si dhe një zgjidhje sistematike.
Sipas tij, secili model i ka anët pozitive dhe negative dhe se ndikimi negativ nga interneti është i pranishëm nga të gjitha anët.
Raportohet se sulmuesi e lajmëroi vetë policinë pas kryerjes së sulmit dhe tregoi se çfarë kishte bërë. Ai u arrestua menjëherë. Në ndalim policor janë dërguar edhe prindërit e tij.

