Policia thotë se sulmuesi i shkollës në Beograd kishte bërë plan me listën e nxënësve në shënjestër - NACIONALE

Policia thotë se sulmuesi i shkollës në Beograd kishte bërë plan me listën e nxënësve në shënjestër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia serbe tha të mërkurën se një adoleshent, i cili vrau tetë nxënës dhe rojën e shkollës në Beograd, kishte vizatuar skica të klasave dhe kishte hartuar një listë të personave që synonte t’i vinte në shënjestër gjatë sulmit.

Policia e identifikoi sulmuesin si Kosta Kecmanoviq, nxënës 13-vjeçar në shkollën “Vladislav Ribnikar”, raporton agjencia “Associated Press”.

Sipas policisë, sulmuesi e përdori armën e babait të vet, që e mbante me leje. Ministi i Brendshëm, Bratislav Gasic, tha se arma mbahej në një kasafortë, por duket se adoleshenti e dinte kodin e saj. Ministri tha se edhe babai i sulmuesit është arrestuar.

Policia tregoi para gazetarëve një skicë ku thanë se sulmuesi i kishte vizatuar klasat dhe një zyrtar i lartë policor, i quajtur Veselin Milic, tha se nxënësi kishte hartuar një listë të personave që planifikonte t’i likuidonte përmes sulmit që e kishte planifikuar një muaj.

“Mund t’i dëgjoja të shtënat. Ishin pa ndërprerje. Nuk dija se çfarë po ndodhte. Po pranonim disa porosi në telefon”- tha një nxënëse, e cila ndodhej në klasën për ushtrime fizike, kur ndodhi sulmi.

Nxënësja e përshkroi sulmuesin si djalë të qetë e me nota të mira. “Ai nuk ishte aq i hapur me secilin. Sigurisht, nuk prisja që kjo të ndodhte”- tha nxënësja.

Lajme të ngjashme