Serbia sërish hyxhym drejt gazit rus
Skadimi i kontratës aktuale ka bërë që Gazpromi rus dhe Srbijagas të fillojnë bisedimet për një kontratë të re për furnizim me gaz natyror. Duke e vazhduar atë që nisi në takimin mes Putinit dhe Vuçiqit më 9 maj, Serbia në fund të këtij muaji do të nënshkruajë një kontratë shumëvjeçare. Ky zhvillim vjen në kohën kur BE-ja ka paralajmëruar plan të ri që deri më 2027 ta shkëpusë varësinë prej gazit rus përmes alternativave të reja.
20 maj 2025 – Paralajmërimet e Perëndimit ndaj Serbisë nuk kanë kryer punë për sa i përket furnizmit me gaz rus.
Beogradi tashmë e ka bërë të qartë se do të lidhë kontratë të re furnizimi me monopolin shtetëror rus të gazit Gazprom, përcjell NACIONALE.
Kjo është bërë e ditur edhe nga zëvendëskryeministri rus, Aleksander Novak.
Ai është cituar prej agjencisë së lajmeve TASS të ketë thënë se “Gazpromi po punon për një kontratë të re për furnizim të Serbisë me gaz natyror.”
Me lidhjet gjithnjë e më të trasha me Rusinë e Putinit pavarësisht aspirimit për t’u bërë pjesë e BE-së, Serbia do ta përtërijë marrëveshjen e saj me kompaninë ruse e cila ka skaduar në mars.
Ç’prej 2021-s, gazi natyror nga Rusia vjen në Serbia përmes gypave të TurkStream nga Deti i Zi.
Sipas të dhënave, vetëm gjatë vitit të kaluar Rusia e furnizoi Serbinë me 3 miliardë metra kubikë gaz natyror.
Marrëveshje me 31 maj
Drejtori i Përgjithshëm i Srbijagas, Dushan Bajatoviq ka bërë me dije se gjatë javës do të ketë bisedime me Gazpromin me qëllim të arritjes së një marrëveshje të re afatgjatë.
“Afati i kontratës është duke u negociuar”, ka thënë Bajatoviq gjatë një bashkëbisedimi në TV Prva.
“Shpresoj që marrëveshja përfundimtare do të arrihet më 31 maj.”
Çështja e gazit rus është rrahur gjatë vizitës kundërthënëse të presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Kremlin me rastin e të ashtuquajturës Paradë e Fitores.
Në takimin mes Vuçiqit dhe Putinit u bisedua edhe për punën e çmimit të gazit.
“Pjesa e parë e bisedimeve ishte e përgjithshme, ne e kuptuam se çfarë donte secili…me siguri që nuk do të kemi problem rreth sasisë; e vetmja çështje është kohëzgjatja e kontratës, e cila nuk do të jetë më e shkurtër sesa tre vjet”, ka sqaruar Bajatoviq.
“Ne do të kemi një kapacitet prej 2.5 miliardë metra kubikë, u morëm vesh për një çmim të mirë, por nuk jam i sigurt se sa do të jetë vlera sipas formulës së gazit. Ne nuk arritëm marrëveshje për shkak se po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje që të jetë e vlefshme për dhjetë vjet.”
Midis varësisë dhe pavarësisë
Në rrugëtimin e saj ambuig drejt BE-së, Serbia së fundmi ka shtuar përpjekjet e saj për t’i diversifikuar burimet e energjisë – përfshirë edhe furnizimet alternative siç është ai nga Azerbajxhani.
Serbia tashpërtash paguan 275 dollarë për 1000 metra kubikë gaz, një shifër kjo shumë më e ulët sesa çmimet në tregun evropian.
Prejse filloi invazioni rus në Ukrainë, shumica e shteteve të BE-së kanë zvogëluar sasinë e importeve nga gazi rus përmes kërkimit të furnizimeve alternative.
Brukseli tashmë ka njoftuar për planet e tij për t’u shkëputur nga varësia e gazit rus gjer më 2027.
Sipas një analize të mediumit ‘Bne intellinews’, Shqipëria dhe Kosova janë vendet e para dhe të vetme në Evropë që nuk kanë kurrfarë varësie nga gazi rus.
Atyre iu shtuan vitin e kaluar edhe vende të tjera që nuk importuan fare gaz rus, si Austria, Polonia dhe Moldavia.
Kjo është mundësuar falë diversifikimit përmes shtimit të kapaciteteve LNG (gazi i lëngëzuar natyror), furinizimeve norvegjeze e azere si dhe zgjerimit të ndërlidhësve rajonalë.
Në ndërkohë, vetëm në vitin 2021 Serbia kishte pasur varësi 89% prej gazit rus, të cilin e merrte përmes TurkStream dhe BalkanStream.
Sipas analizës së mediumit në fjalë, kjo varësi shpjegohej nga “përfitimet afatgjate prej marrëveshjeve të favorshme me Gazpromin.”
Lufta kundër Gazpromit
Ndërkohë, plani evropian që do të diskutohet në qershor do të kërkojë miratimin nga Parlamenti Evropian dhe një shumicë e vendeve të BE-së.
Deri më tani, vetëm Hungaria dhe Sllovakia kanë kundërshtuar propozimin në fjalë.
Furnizimet nga Gazpromi përmes TurkStream në prill ranë për 7.3% krahasuar me muajin paraprak, që i bie brenda ditës rënie nga 45 milionë metra kubikë në 41.7 milionë metra kubikë.
Pas mbylljes së gypave të furnizimit Yamal-Europe dhe Nord Stream, si dhe pezullimit të rrugës përmes Ukrainës, Gazpromi ka shfrytëzuar vetëm një rrugë drejt Evropës – atë përmes Turqisë – me një kapacitet vjetor prej 15.75 miliardë metra kubikë.
Sipas një vlerësimi të Reuters, furnizimet e Gazpromit në Evropë vitin e kaluar u rritën në afërsisht 32 miliardë metra kubikë, nga 28.3 miliardë metra kubikë sa ishin më 2023.
Majat e eksporteve kjo kompani i arriti në vitet 2018-2019, me 175 miliardë deri në 180 miliardë metra kubikë, që përbënte 80% të shitjeve të saj ndërkombëtare.
Sanksione të reja?
Në fillim të këtij viti, ShBA dhe Britania e Madhe i patën vënë sanksione kompanisë serbe NIS për shkak se Gazprom Neft zotëronte në të 50 për qind të aksioneve.
Kjo kompani tashmë rrezikon të përballet për së dyti me sanksione nga Washingtoni.
Bajatoviq, në anën tjetër, ka thënë se i ka përasysh këto rreziqe, porse është shprehur optimist.
“Ka një çështje mjaft të rëndësishme. Evropa do ta ndalojë gazin rus më 2027, por ndoshta do të ketë marrëveshje mes rusëve dhe amerikanëve”, pati thënë ai për RTS, duke lënë të kuptohet se ndryshimet gjeopolitike mund t’i ndryshojnë opsionet e energjisë për Serbinë. /NACIONALE/