Vuçiqi sillet e pështillet dhe përfundon në Moskë
Në kohën kur në Moskë nuk e dinë as ku e kanë kokën për shkak të dronëve ukrainas, me aeroporte që detyrohen të mbyllen, presidenti i shtetit fqinj, Vuçiq, para pak orësh ka ateruar në kryeqytetin e ‘Vëllaut të Madh’. Megjithë paralajmërimet serioze të BE-së ndaj cilitdo lider që merr pjesë në të ashtuquajturën Paradë të Fitores, presidenti serb, jo vetëm se e ka ngritur në qiell Ushtrinë e Kuqe dhe rolin e saj për Serbinë, por të premten do të takohet edhe me Putinin.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka zbarkuar para pak orësh në Moskë duke i dhënë fund hamendjeve nëse do t'i përfillë ose jo paralajmërimet e Perëndimit.
Ai ka mbërritur në kryeqytetin rus pasditën e sotme me qëllimin kryesor për të marrë pjesë në të ashtuquajturën Paradë të Fitores që pritet të mbahet këtë të premte.
Lajmi është bërë i ditur edhe në profilin zyrtar të Vuçiqit në Instagram.
“Pas kaq vitesh, përsëri në Moskë. Krenar për përpjekjen antifashiste të popullit tim serb dhe mirënjohës për ndihmën enorme që patëm prej Ushtrisë së Kuqe gjatë çlirimit të Serbisë”, ka shkruar ai në këtë platformë sociale.
Bëhet e ditur se Vuçiq ka ateruar në areoportin moskovit të Vnukovos. Në aeroport atë e ka pritur zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Aleksandar Gruško.
Në të vërtetë, ky udhëtim ka zgjuar interesimin e mediave për arsye të ndalesës së tij të pazakontë në Azerbejxhan.
Siç ka njoftuar tabloidi serb Informer, aeroplani me të cilin udhëtonte ka bërë një ndalesë emergjente në Baku për shkak se plot shtete rajonale bllokuan hapësirat e tyre ajrore në rrethanat e goditjeve që Ukraina i ka bërë me dronë mbi Moskën.
Një veprim i tillë ka bërë që shumica e aeroporteve në kryeqytetin rus të mbyllen.
Ndërkohë, televizioni shtetëror rus ka ndarë pamje ku shihet Vuçiqi në Moskë.
Ambsadori rus në Serbi, Aleksandar Botsan-Kharchenko, i cili së fundmi qe takuar me presidentin serb, akuzoi
Perëndimin se është përpjekur ta bllokojë vizitën e udhëheqësit serb në Moskë, duke e quajtur veprim ‘neonazist’.
Zyrtari i presidencës ruse Yuri Ushakov citohet të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai serb, Aleksandër Vuçiq të premten, më 9 maj, do të mbajnë një takim.
Me sa duket deklarimi i tij qe një aludim për vendimin e shteteve baltike që kanë pezulluar hapësirat e tyre ajrore me qëllim që të sprapsen ata liderë nga bota që kanë ndarë mendjen të marrin pjesë në kremtën kundërthënëse të së ashtuquajturës Ditë e Fitores.
Në fakt, Ukraina sot ka sulmuar me dronë Moskën për të tretën herë me radhë, madje kjo ka ndodhur edhe kur pritej që të vinte presidenti kinez Xi Jinping.
Autoritetet ruse, ndërkohë, pretendojnë se mbrojtja e tyre ajrore ka shkatërruar së paku 14 dronë ukrainas.
Ndërkaq, në ceremoninë e së premtes, Vuçiqi do të jetë vetëm njëri nga 29 liderë nga bota që do të marrin në festimet për Diten e Ditores në Kremlin, aty ku do të parakalojnë edhe njësi ushtarake prej 13 vendesh.
Prej javësh, Bashkimi Evropian iu ka kërkuar presidentëve të vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së, përfshirë edhe Vuçiqin, që të respektojnë politikën e jashtme të bllokut dhe të bojkotojnë shënimet zyrtare ruse për Luftën e Dytë Botërore si protestë ndaj invazionit mbi Ukrainën.
Edhe në raportin e sivjetmë të Parlamentit Evropian për Serbinë janë vënë në pah shumë probleme, mes të cilave edhe mospërputhja me politikën e jashtme të BE-së.
Sipas raportit, marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë ngrenë shqetësime për orientimin e saj strategjik.
Për këtë arsye është kërkuar nga BE-ja që ta rishqyrtojë shtrirjen e mbështetjes financiare për Serbinë nëse vendi vazhdon të mbështesë ideologji antidemokratike dhe nuk iu bashkohet sanksioneve evropiane dhe politikës së përbashkët të sigurisë.
“Për një kohë tepër të gjatë, Serbia është përpjekur të marrë më të mirën e fondeve të BE-së derisa ka anashkaluar vlerat tona themelore dhe orientimin tonë gjeopolitik. Procesi i zgjerimit është i mbështetur në merita, dhe përparimi i Serbisë mund të ketë ndikim pozitiv në rajon”, është thënë në këtë raport.
Vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, gjer në momentet e fundit ka testuar diplomatikisht Perëndimin.
Fillimisht, ai e kishte dërguar në Moskë patriarkun Porfir, gjë që ishte vlerësuar nga njohës të ndryshëm si një mënyrë tacite për ta arsyetuar mospraninë e tij në Moskë, porse mbërritja e sotme në kryeqytetin rus duket se e përforcon bindjen që Serbia nuk e këmben për asgjë lidhjen me Rusinë. /NACIONALE/
C.M