Selmanaj pasi dorëzoi kallëzimin penal ndaj Martin Berishajt: Gënjeu në sy
Deputetët e LDK-së, Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal ndaj Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Këtë kallxim penal, Selmanaj e ka bërë në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike.
Selmanaj, ditë më parë e kishte paralajmëruar ketë edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Çka është ky zell për ta mbrojtur Martin Berishajt, kur ai ka gënjyer në komision. Ai na ka gënjyer në sy. Prandaj, unë në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni kam detyrim, edhe si parti politike kemi diskutuar, ta procedoj kallëzimin penal nesër për këtë person, në cilësinë e kryesuesit të komisionit parlamentar, sepse gënjeshtra nuk mund të kalojë.’’- kishte thënë Selmanaj në Kuvend.
Selmanaj ka akuzuar, se deputeti i Vetëvendosjes Enver haliti, gjatë kohës sa ishte duke raportuar ambasadori Berishaj, para Komisionit parlamentar, kishte luajtur avokatin e tij, duke i kërkuar Berishajt që të mos përgjigjët në pyetjet e Komisionit.
‘’Madje, kur e kam pyetur për vitin 2022, deputeti Haliti ka thënë “zotëri ambasador, mos u përgjigj për gjëra jashtë mandatit”, ia bënte avokatin atij, duke u frikësuar se po i shpëton diçka, por atij nuk po i shpëtojke asgjë, ishte shumë i kthjellët në çdo gjë, edhe në qasje. Prandaj unë mendoj se është në interes të vendit që ai të hetohet për deklarim të rrejshëm.” Ka thënë Selmanaj, në seancën e Kuvendit