Së paku 28 të vdekur nga zjarri në një traget në Filipine - NACIONALE

Së paku 28 të vdekur nga zjarri në një traget në Filipine

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 28 njerëz, përfshirë një foshnjë gjashtëmuajshe, kanë vdekur nga zjarri në një traget udhëtarësh në pjesën jugore të Filipineve, tha të enjten roja bregdetare e këtij shteti.

Autoritetet ende nuk e kanë zbuluar shkakun e zjarrit, i cili filloi rreth orës 23 të mërkurën afër ishullit Basilan, kur shumë prej pasagjerëve ishin duke fjetur në kabina me ajër të kondicionuar në pjesën e poshtme të tragetit, raporton agjencia “Reuters”.

“Fillimisht ishin dhjetë që i gjetëm, ata vdiqën nga fundosja në ujë. Pastaj zbuluam edhe 18 të tjerë në anije, në kabinë. Ishin tërësisht të djegur”- tha Rejard Marfe, shef i rojës bregdetare në rajonin jugor, Mindanao.

Pati të dhëna të ndryshme sa i përket numrit të pasagjerëve në tragetin që nuk ishte i stërmbushur, por roja bregdetare tha se 230 njerëz, përfshirë 35 anëtarë të ekuipazhit, janë shpëtuar.

Marfe tha më herët se shumica e pasagjerëve ishin duke fjetur në kohën e shpërthimit të zjarrit, duke shtuar se në traget kishte kaos.

Zjarrfikësit e vunë zjarrin nën kontroll në orët e para të së enjtes. Në fotografitë e publikuara nga roja bregdetare shihet trageti “MV Lady Mary Joy 3” i kapluar nga zjarri.

“Mendova se po shihja ëndërr, por kur i hapa sytë, ishte errësirë dhe ishin të rrethuar nga tymi”- tha Mina Nani, 46 vjeçe.

Ajo tha se mbijetoi duke kërcyer nga trageti dhe qëndroi ngjitur për një gome shpëtimi bashkë me një pasagjer tjetër para se të dy të shpëtoheshin.

Filipinet, arkipelag me më shumë se 7 mijë e 600 ishuj, ka histori negative sa i përket sigurisë së lundrimit. Anijet shpesh mbingarkohen dhe shumë anije të vjetra janë ende në përdorim.

Më 1987, rreth 5 mijë njerëz kishin vdekur në fatkeqësinë më të rëndë detare në kohë paqeje në botë, kur një traget i stërngarkuar ishte përplasur me një anije për transportimin e naftës afër ishullit Mindoro.

Lajme të ngjashme