Scholz-i, litiumi, data e vrasjes; Koci e Haxhiu shtrojnë një mal me skenarë për rastin e Hajrizit
Arianit Koci, avokat i familjes së Faton Hajrizit, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh në "Rubikon" të Klan Kosovës në lidhje me datën e vrasjes dhe çfarë mund të ketë ndodhur me trupin e tij pas vrasjes apo nëse ka kryer vetëvrasje. Madje – në një version pak më ndryshe – ai iu bashkua një hipoteze të çuditshme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila lidhte rastin e Hajrizit me minierat e litiumit në Serbi, duke thënë se njoftimi për vrasjen mund të jetë fshehur qëllimisht për shkak të vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Serbi.
Me krejt këto pikëpyetjet të shtruara nga Koci, gazetari Kelmendi pyeti për specifikat; “Edhe kur u vra, po e vini në dyshim këtë?.
Ndonëse pranoi se një verion i tillë mbetet vetëm "një nga skenarët", avokati Koci tha se koha e vrasjes së Hajrizit mbetet një mister për shkak se sipas tij, për Serbinë nuk ka qenë e favorshme që njoftimi për vrasjen e një njëriu të bëhej në ditën kur kancelari Scholz udhëtoi në Sërbi për nënshkruar kontratën për litiumin.
“Ditën kur e ka vra policin Fatoni të nesërmen ka pas me ardh Scholzi prej Gjermanisë që e nënshkruan kontratën me litium. Tash – këto janë pjesë e analizës por mundet me u quajtë edhe formë e një deduksioni logjik se s’dua të them spekulim – për Serbinë nuk ka qenë forte e favorshme ditën që vjen Scholzi me thanë ‘qe ne e vrajtëm njërin’. E kanë pritë me përcjellë, e kanë nënshkru kontratën, e kanë publiku që e kanë vra. Kjo është një prej skenarëve. Nuk do të thotë që është kjo", tha ai.
Sipas tij, mbetet e paqartë nëse Hajrizi u vra atë ditë apo një ditë më herët.
"Është një e panjohur e madhe se çfarë ka ndodhur me Fatonin menjëherë ditën apo natën e parë pasi e kanë vrarë. Është e panjohur njësoj e madhe kur është vra. A është vra atë ditë apo një ditë më herët", tha ai.
Lidhur me refuzimin e Serbisë për ta kthyer trupin e Hajrizit në Kosovë, Koci tha se një gjë e tillë po bëhet me qëllim nga autoritetet serbe që trupi i tij të dekompozohet aq shumë sa do ta vështirësonte ekspertizën.
E gjithë kjo, sipas tij, po bëhet që pikëpyetjet e shumta për Faton Hajrizin të bëhen të vështira për t'u zbardhur.
Një nga to, sipas avokatit Koci, mbetet nëse Hajrizi është vrarë me të vërtetë apo është vetëvrarë.
"Qeto elemente janë ato që neve shumë na kishin kry punë me u kthy trupi në gjendje që munden më bë ekspertizë në të. E këtë ata nuk po e dojnë. Po dojnë sa më shumë me u dekompozu trupi që ne më pakë me pasë mundësi me gjetë të vërtetën çka ka ndodhë, a u vra sot a u vra nesër. Në çfarë forme u vra dhe me sa plumba. Apo u vetëvra. Sepse tash po flitet me të madhe që ai s’është dorëzu dhe ka mujtë edhe me vra vetën. Edhe ky opsion është në qarkullim", tha ai.
Në fund, avokati Koci kërkoi që këto skenarë të merren me rezerva dhe të priten analizat përfundimtare nga ekspertët.
"Sidoqoftë unë jam në këto gjëra shumë i rezervum me dhënë mendim përfundimtar. Vjen kufoma e marrin ekspertat dhe na japin analizën përfundimtare”, tha avokati.
Kujtojmë se gjatë intervistës së sotme në emisionin “60 minuta” në KTV, ministrja Haxhiu ngriti gjithashtu një mal me hipoteza për arratisjen e Faton Hajrizit, duke e lidhur atë me nxjerrjen e litiumit në Serbi.
“Përshembull për rastin e fundit, kur jemi këtu duhet të kemi parasyshë që rasti që ndodhi, ka ndodhur në prag të nënshkrimit të kontratave për litiumin. Vendi si me thënë ku dyshohet se ka ndodh vrasja e policit serb, është 9 km larg vendit ku planifikohen të ndërtohen minierat. Dhe për të kundërshtuar atë kontratë ka pasë paralajmërim për protesta nga ajo zonë. Në momentin kur ka ndodhë ky rast, ajo zonë ëshë rrethuar komplet. Rrjedhimisht ka pamundësuar që të ketë reagime qyetetare” – nisi shpjegimin e saj të padëgjuar publikisht Haxhiu.
Duke vazhduar me pyetjet, “Pse bash atë ditë, pse në atë zonë, çka ka kërku Faton Hajrizi në atë pjesë?”