Jasharaj kategorikisht kundër testimit të mësimdhënësve: S'e lejojmë kurrë
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë është kundër testimit të mësimdhënësve.
Au në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se një gjë të tillë nuk do ta lejojnë kurrë pasi, sipas tij kjo është një nënçmim për punën, për studimet që këta njerëz kanë bërë.
“Nuk mendohet as në MAShT, e askund që të ketë eventualisht ndonjë test me shkrim të njohurive të mësimdhënësve, as s’ka ndodhë e as kurrë nuk do të ndodhë. Nuk do ta lejojmë kurrë sepse është nënçmim për punën, për studimet që këta njerëz kanë bërë në fakultete dhe janë vlerësuar e testuar dhjetëra herë, por po insistojnë bashkë me MAShTI-n”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se partitë sa janë në opozitë premtojnë kushte të mira për arsimin, e siç thotë ai, kur ato vijnë në pozitë shihet që se marrin si prioritet fare.
“Shteti ynë përveç asaj pjesës me ligje, sepse lehtë është të vihen në letër idetë edhe më të mirat në botë, por partitë cilado qoftë edhe kjo tani në fushata zgjedhore thonë se e kanë prioritet arsimin dhe kur ulen në kolltuk shihet se nuk e kanë fare në prioritete”, ka thënë ai.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja ka thënë se SBASHK-u nuk ka ndonjë arsye të jetë kundër vlerësimit të mësimdhënësve.
“Unë vlerësoj që SBASHK-u nuk ka ndonjë arsye kundër vlerësimit të mësimdhënësve, neve kemi një legjislacion që e parasheh vlerësimin e mësimdhënësve në periudha të caktuara. Ajo çka SBASHK-u gjykoi është në kundërshtim, është kundër testimit të mësimdhënësve e që kjo asnjëherë nuk është prezantuar nga askush. Pra, debati jonë i përbashkët i të gjithëve dhe përkushtimi i përbashkët duhet të jetë se si të rishikojmë legjislacionin aktual të vlerësimit të përformancës, ta bëjmë atë më kredibil që të na sjellë rezultate të vlerësimit të besueshme dhe valide për çdo mësimdhënës dhe assesi ky proces të mos perceptohet si ndëshkues, por përkundrazi si përkrahës për mësimdhënësit tanë”, ka thënë Qehaja.
