Sarrazin zbulon prapaskenat rreth KiE, mesazh Qeverisë: Nuk mund t’ua bëjmë ne diplomacinë, bëjeni vet - NACIONALE

Sarrazin zbulon prapaskenat rreth KiE, mesazh Qeverisë: Nuk mund t’ua bëjmë ne diplomacinë, bëjeni vet

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka folur gjatë në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke theksuar që shteti kosovar duhet ta bëjë vetë punën diplomatike. Në një paraqitje të tij së fundi, ai ka zbuluar edhe prapaskena të tjera nga ky proces.

Në një panel diskutimi, Sarrazin ka deklaruar se Gjermania nuk ka dashur ta lidhë çështjen e anëtarësimit në KiE me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Mendoj që nuk është e drejt të thuhet që Gjermania e ka lënë në baltë Kosovën. Ne kemi pasur një vlerësim ndryshe nga të tjerët sa i përket shumicës në Komitetin e Përfaqësuesve të Ministrave. Ne nuk kemi dashur të shkojmë në një situatë, ku do të shihnim një amandament duke dështuar, edhe pse votuam pro. Kjo është çështja.

Kështu që ne flasim me partnerët tanë, që ta komentojmë pozicionin për të votuar po, por këto kanë qenë kushtet e reja. Për Gjermaninë, ka qenë e qartë se nuk do ta lidhnim Këshillin e Evropës me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne e kemi ndryshuar këtë, por për partnerë të tjerë, ka qenë ndryshe prej fillimit.” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.

“A po flasim për Francën?” – u pyet ai më pas.

Sarrazin e bëri të qartë se pati fjalën për partnerë të rëndësishëm. Ai u shpreh nëse Gjermania do të votonte ndryshe nga partnerët e QUINT-it, do të ishte “hero” në Kosovë, por votimi do të dështonte megjithatë.

“Partnerë të rëndësishëm, po. Kështu, çfarë do të ishin më pas opsionet nëse Gjermania do të votonte ndryshe nga partnerët e ngushtë evropianë nga QUINT në Komitetin e Përfaqësuesve të Ministrave, dhe me gjasë, nga vlerësimi ynë votimi do të dështonte. Kjo do të ishte, besimi në Kosovë do të ishte shumë i madh, ne do të ishim hero, por mundësia për ta provuar sërish me sukses do të ishte edhe më e ulët. Kështu, këto janë faktet. Unë nuk duhet ta them që më pëlqen ky kusht për draftin e Asociacionit, por nuk është një pyetje a më pëlqen, ndonjëherë jeta është kështu. Ky është kushti që është kërkuar, dhe nuk ka pika tjera të kthimit për këtë.”tha ai, transmeton Nacionale.

Ai ka përsëritur se Gjermania nuk e ka lënë në baltë Kosovën. Këtu, Sarrazin ka zbuluar detaje se si Gjermania ka kërkuar nga partnerët që “t’i ndjekin”, pasi kjo mund të çojë edhe drejt progresit pozitiv në dialog.

Por, zhvillimet në terren ndryshuan situatën.

“Dhe, unë nuk do të thoja që Gjermania e ka lënë Kosovën në baltë, çfarë keni harruar është se një vit më parë, çuarja përpara e aplikimit nga Komiteti i Përfaqësuesve të Ministrave te Asambleja Parlamentare është bërë vetëm për shkak të Gjermanisë. Kemi bërë të gjitha përpjekjet tona lobuese, kohën tonë, nga ministri im, nga kancelari im, që të shtyjmë përpara Presidencën e Islandës që ta dorëzojë për votim, që nuk ka qenë unanime, gjë që siç thonë disa njerëz është e zakonshme në Strasburg. Atë kohë po ashtu, ne u kemi thënë partnerëve tanë, po u shtyjmë tani, na ndiqni neve, sepse kjo do të çojë në progres pozitiv sa i përket dialogut. Një vit më pas, ata partnerë na thanë, “Djema, çka ndodhi në terren?”.” – ka thënë ai.

Në lidhje me këtë, në fund të deklaratës së tij, Sarrazin ia ka bërë të qartë Qeverisë së Kosovës se punën diplomatike duhet ta bëjë vet, e jo të pres nga Gjermania.

“Jo, jo, jo, çështja është se pretendimi ndaj Gjermanisë është që ne s’e kemi, mendoj, vetëm kemi votuar, vetëm nëse Gjermania do të votonte, nuk do të ishte shumica. Pretnedimi në Kosovë është se nëse Gjermania do të donte, do t’i shtynte francezës, gjermanët. Dua të them që Gjermania nuk është e madhërishme në Evropë, sidomos ndaj Francës. Ka shumë çështje mes Francës dhe Gjermanisë, dhe nuk ka qenë vetëm kjo. E treta, nuk mund t’i besoni vetëm Gjermanisë t’ua bëjë punën diplomatike, duhet ta bëjë Kosova, t’i bind partnerët, jo të na lë neve t’i bindim.” – u shpreh emisari gjerman, transmeton Nacionale.

Lajme të ngjashme