Sarrazin: Kemi premtim nga Serbia që s’do të përfshijë ushtrinë apo policinë serbe në Kosovë - NACIONALE

Sarrazin: Kemi premtim nga Serbia që s’do të përfshijë ushtrinë apo policinë serbe në Kosovë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Manuel Sarrazin, i dërguar i Gjermanisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka dhënë një intervistë për Deutche Welle-n, në të cilën ka folur për shumë tema, përfshirë situatën e sigurisë mes dy vendeve pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në DW, Sarrazin ka treguar se Serbia ka premtuar se nuk do të përfshijë ushtrinë apo policinë në Kosovë. Çka tha i ngarkuari gjerman?

Tutje, ai deklaroi se shpresojnë që situate do të jetë nën kontroll tani.

“Situata është deri diku e rrezikshme. Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë masa shpërshkallëzuese nga pala serbe, por deri diku edhe nga pala kosovare. Ne kemi premtimin e qartë nga Serbia, se nuk do të bëjë ndonjë budallalëk dhe të përfshijë ushtrinë apo policinë serbe në Kosovë. Kështu që ne po shpresojmë që situata do të jetë nën kontroll tani, por duhet të bëjmë hapa më tej me masa shpërshkallëzuese për të mbajtur situatën të qetë dhe për t'u kthyer sërish në një atmosferë produktive.” – deklaroi ai.

Tutje, Sarrazin theksoi se duhet të ketë ndjekje penale të autorëve të sulmit të 24 shtatorit dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet që njerëzit në veri të ndihen të sigurt.

“Nga njëra anë, duhet të kemi masat shpërshkallëzuese. Serbia duhet ta bëjë të qartë se nuk do të bëjë përpjekje për dhunë ndaj Kosovës. Duhet të ketë një ndjekje penale të autorëve të sulmit të 24 shtatorit. Dhe gjithashtu është e qartë se diçka e tillë nuk duhet të përsëritet dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më shumë që njerëzit në veri të Kosovës të ndihen të sigurt.” – shtoi Sarrazin.

Përfaqësuesi gjerman e përmendi edhe Kosovën, duke deklaruar se ka disagjëra që pala kosovare duhet t’i adresojë.

“Natyrisht, kemi edhe çështje të hapura me palën kosovare lidhur me kryetarët e bashkive dhe policinë speciale, këto janë gjëra që duhet të adresohen. Pra, duhet të flitet për këto çështje, por vetëm trajtimi i këtyre çështjeve nuk do ta zgjidhë problemin. Kështu që ne duhet të kthehemi në tryezë për të zbatuar marrëveshjen Ohrit, e cila ishte një kthesë historike, në shkurt të këtij viti, dhe nuk është zbatuar deri tani. Pra, ne po përpiqemi t'i bëjmë të dyja: nga njëra anë, duke bërë presion për një shpërshkallëzim në terren, por duke mos e lënë këtë përshkallëzim të situatës të kalojë, që të mos flasim më për rezultatin dhe duam që të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të bien dakord mbi një udhëzyes për zbatimin e marrëveshjes.” – vlerësoi ai.

Sarrazin deklaroi edhe për shtimin e trupave gjermane në kuadër të KFOR-it.

“Ne kemi thënë se jemi të gatshëm të dërgojmë më shumë trupa dhe tani kjo varet nga partnerët, që të vendosin se cilat kapacitete janë të nevojshme dhe deri në ç'masë dhe se cili është momenti i përshtatshëm. Jam i sigurt se një Kfori i fortë nuk është vetëm një sinjal, por mund të ndihmojë edhe për të mbyllur më mirë kufirin për armët që vijnë nga Serbia drejt Kosovës. Pra, sigurisht, është arsyeshme. Përveç sinjalit politik edhe në terren.” – sqaro ai.

Lajme të ngjashme