Saktësia profetike e Armend Mujës: a ka shqisë të gjashtë?
|
Ora në mur pa bateri ia qëllon kohës dy herë në ditë, por Armend Muja është përjashtim edhe i përjashtimit të këtij rregulli. Saktësia e tij është saktësi në të mos-qëlluarit e gjërave. Kjo është edhe ajo çka Nacionale do t’ia përshkruajë Mujës për ‘shqisë të gjashtë’. Të kthehemi në mars të 2021’ës kur Armend Muja kishte dalë nga teleanalist politik në deputet të Vetëvendosjes dhe ishte kthyer sërish në studio për t’ia bërë ‘spindoktorin’ partisë – tashmë pa mbulesë prej thjesht-analisti, por tamam i partisë. Po ia bënte parashikimin Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale të tetorit 2021. Një muaj që nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 kur Vetëvendosje kishte marrë 50,2% të votës në zgjedhje nacionale, ai e përllogariste që në zgjedhjet lokale Vetëvendosje do të fitonte 90% të komunave me shumicë shqiptare. Në ‘Debat Plus’ ai e kishte ngjyer hartën kuq:
Përkatësisht 24 komuna nga 27 me shumicë shqiptare: përjashto këtu dhjetë komuna me shumicë serbe dhe një me shumicë turke. Ky ‘profetizim’ i Mujës, gjashtë muaj më vonë do të pjesëtohej me gjashtë. Vetëvendosje i fitoi vetëm katër komuna. Saktësia e Mujës u shndërrua në ekzemplar kombëtar të parashikimit. Por, nuk është ky parashikim i parë dhe i vetëm. Muja ka bërë edhe një parashikim tjetër, edhe më ambicioz... jo në llogari më vetëm të Vetëvendosjes, por të vetë shtetit. … Kur nga ‘Fundi i Mjegullt’ – siç quhet lagja ku është vendosur objekti Departamenti i Shtetit në Uashingtonit – erdhi vendimi që Kosovës i shkëputet pa afat marrëveshja për “Dialogun Strategjik”, veprim ky i barazvlefshëm me një divorc bilateral, Armend Muja e pati parashikimin se pse po ndodh kjo, dhe jo vetëm. Por, edhe në çka përkthehet, si gjë e dobishme për Kosovën. Nuk e kanë me Kosovën, ishte përfundimi i gjykimit të Mujës, por me Serbinë. Sepse duan t’ia shkëpusin Serbisë “Dialogun Strategjik”, po ia shkëpusin edhe Kosovës. Dhe kjo, tha ai, “neve kështu na konvenon”.
Dhe kështu, populli i Kosovës s’do të duhej të brengosej: sepse kjo ishte në dobinë e vendit, në të mirën e vendit, dhe në kuadër të interesit shtetëror. Por, parashikimi i Mujës – ndonëse i pabazuar – u shemb si kështjellë prej zalli nga vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili takoi dje Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe tema ishte... Dialogu Strategjik ShBA – Serbi.
‘Sanksionimi’ amerikan ndaj KosovësNjë zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara sërish ka konfirmuar për median “Koha.net” se qeveria e deputetit Albin Kurti ka shkaktuar pezullimin e Dialogut Strategjik me Uashingtonin. Zyrtari amerikan ka shpjeguar se vendimi erdhi si rezultat i "kalimit të vijës së kuqe" nga ana e qeverisë kujdesta, veçanërisht përmes tentativave për të vijuar me përjashimin e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, dhe kësisoje të vazhdonte mospërfaqësimi politik i serbëve në veri të Kosovës.
Sipas të njëjtit, situata nuk përbën një incident të izoluar, por reflekton një vazhdimësi të veprimeve që kanë thelluar tensionet dhe kanë rritur pasigurinë në rajon.
Zyrtari ka përkujtuar se administrata amerikane kishte paralajmëruar autoritetin kosovar për pasojat e mundshme nëse qasja e qeverisë Kurti nuk do të ndryshonte.
|