Sa të pafat! Serbëve të Kosovës iu thuhet “Ikni nga Beogradi”
Serbë të Kosovës që kanë shkuar në Beograd në mbrojtje të regjimit të Aleksandër Vuçiqit nuk po konsiderohen të dëshiruar prej vendësve.
Një skenë e tillë u pa sot me rastin e bllokimit të ndërtesës së televizionit N1.
Nga ç’njoftojnë mediet serbe, ky grup njerëzish ishin nga Lëvizja Socialiste e Vulinit.
Ka qenë pikërisht ky moment kur punonjës të Airport City nisën të brohorasin kundër tyre.
“Idite na Kosovo” (Shkoni në Kosovë) dëgjohen shkoqur zërat në kor.
Të dyja grupet rivale, protestues e kundërprotestues, janë ndarë në mes nga një kordon policësh të cilët nuk kanë reaguar.
Bëhet e ditur se disa nga njerëzit që po e mbajnë të bllokuar ndërtesën mbajnë shenja të Lëvizjes Socialiste, parti e themeluar nga prorusi Aleksandër Vulin.
Në anën tjetër, Lëvizja Kombëtare Serbe u ka bërë thirrje sot serbëve të ardhur nga Kosova, e të cilët aktualisht po qëndrojnë në Parkun e Pionerëve në Beograd, të largohen nga aty “dhe të mos e mbrojnë tradhtarin Aleksandër Vuçiq e të bëhen bashkë me kërkesat e ligjshme të studentëve”.
Në kumtesën për medie, nga kjo lëvizje kanë vlerësuar se ardhja e organizuar e serbëve nga Kosova ishte “e papërligjur, e pamoralshme dhe e pandershme”.
Ndërkohë, dje është njoftuar se serbë, sidomos nga Graçanica dhe Llapllasella, janë dërguar në mënyrë të organizuar në Beograd.
Vetë mediat serbe kanë shkruar se në mesin e atyre që udhëtuan për në Beograd nuk ndodhej asnjë student, por që të gjithë ishin të moshuar nga Graçanica dhe Llapllasella.
Në ndërkohë, mësohet që Lista Serbe ka organizuar serbë edhe nga vendbanime të tjera të Kosovës për t’u bërë mburojë e gjallë për pushtetin e Vuçiqit.