Sa mund të jetë fitimi i bankave nga llogaritë e reja me të cilat po mburret Vetëvendosje?
Sqarim: Nëse këto llogari që janë hapur i takojnë kategorisë së xhirollogarive bazike, atëherë mirëmbajtja mujore mund të jetë falas ose 0.54 centë/muaj. Por në rast se këto xhirollogari nuk janë bazike, atëherë mirëmbajtja mujore është më e lartë, duke filluar nga 1 euro e tutje dhe bankat përfitojnë përafërsisht sipas llogaritjeve që ka bërë Nacionale.
10 dhe 20 euro është një shtesë për fëmijët dhe një nënë kosovare në xhirollogarinë e saj bankare, i sheh vetëm 8 euro ose 9 euro varësisht nga çmimi për mirëmbajtjen e xhirollogrisë. Mirëpo, hapja e xhirollogarive të reja nga gratë, po shihet si një arritur e jashtëzakonshme nga pushteti, konkretisht nga partia që udhëheq me vendin – Vetëvendosje. Teksa, kjo gjë nga ekonomistët po shihet si përfitim i bankave.
Faqja zyrtare e Vetëvendosje në Facebook ka shpërndarë një të dhënë me të cilën duket se po cilësojnë si një të arritur të madhe.
“Për shkak të masave mbështetëse, 90 mijë gra kanë hapur për herë të pare llogari bankare.” – është postimi i Vetëvendosjes në Facebook.
Këto llogari janë hapur pasi Qeveria e Kosovë ka vendosur shpërndarjen e shtesave për fëmijët.
Shtesa ishin përcaktuar që të shpërndahen te nënat dhe jo baballarët dhe për këtë arsye janë hapur edhe xhirollogari të reja.
Kësisoj në këtë rast përfitojnë edhe bankat komerciale që operojnë në Kosovë.
Në bazë të një llogaritje të thjeshtë del që bankat në muaj nga këto të gjitha xhirollogari fitojnë 90 mijë euro nëse mirëmbajtja kushton 1 euro.
Mirëpo, disa banka mirëmbajtja mujore kushton 2 euro atëherë bankat nga këto xhirollogari të reja përfitojnë 180 mijë euro në muaj.
Ndërkohë, në vit bankat fitojnë 1 milion euro nëse mirëmbajtja mujore është 1 euro, në total 90 mijë euro.
Ndërsa, nëse fitimi është 180 mijë euro në muaj, në viti bankat fitojnë 2 milionë e 160 mijë euro nga hapja e xhirollogarive të reja.
Në Kosovë, Qeveria shpërndan shtesa 20 euro për fëmijët nën 2 vjeç dhe nga 10 euro për fëmijët deri në moshën 16-vjeçare.
Gjithashtu edhe qytetarë të shumtë kanë komentuar në njoftimin e VV-së në Facebook.
Ata kanë përmendur fitimin e bankave për shkak të hapjes së xhirollogarive të reja nga gratë.
“Këto gra duhet me pas mirëmbajtjen e llogarisë pa pagesë, e jo me i dal aty 10 euro shtesa për femijë, 2.50 euro me ia tërhjek mirëmbajtja e bankës, gratë me mbet me vetëm 5 euro për tërheqje” – është njëri nga komentet e shumta.
E vendimi që shtesat të ekzekutohet vetën në xhirollogari të nënave, ishte parë si një vështirësi për shkak të shpenzimeve që krijohen dhe për shpenzimet bankare.
Ekonomisti Imer Raçi ishte shprehur i shqetësuar se shtesa për fëmijë gati po shpenzohet nga obligimet bankare.
Ndërsa njohësi fushës së ekonomisë, Shenoll Muharremi, e ka parë si postim të çuditshëm shkrimin duke thënë se Qeveria duhe të shoh se numri i grave të papunësuar është i lartë dhe se fokusi duhet të jetë aty.
“Zyra e komunikimit të VV vazhdon me disa postim të çuditshme. "90,000 gra kanë hapur llogari bankare" shkruhet në postimin e tyre si lavdatë për punën e qeverisë. O të dashur, lexoni statistikat e juaja nga zyra e kryeministrit. Gati 500,000 gra të moshës së punës janë jashtë tregut të punës dhe të papuna. Cila është rëndësia e hapjes së llogarive, përveq rritja e fitimit të bankave komerciale?” – ka shkruar Muharremi në Facebook.
Tutje, ai ka renditur edhe disa çështje që Qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë dhe të mos merret “budallaqe”.
“Mos i mashtroni shtresën më të margjinalizuar në vend, po (a) krijoni programe të punësimit të grave me qindra miliona euro, (b) bëni skema të ngritjes së kapaciteteve të grave dhe përshatshmërisë me nevojat e tregut. (c) Ndërtoni çerdhet që keni premtuar se gratë nuk munden me punu pa pas ku me i lënë fëmijët. Bëni veprime konkrete me rregullu gjendjen e tyre dhe mbylleni gojën me këto budallaqe ju lutem.” – ka shkruar Muharremi.
Kujtojmë se gratë marrin pjesë në fuqinë punëtore me vetëm 132 mijë persona aktivë, ku të punësuar janë rreth 110 mijë dhe të papunësuara janë 21 mijë e 897 gra.
Ndërsa mbi 469 mijë gra e vajza nuk janë fare aktive në tregun e punës që do të thotë se nuk janë të punësuara dhe nuk kanë kërkuar punë.