(S)a e përgënjeshtroi Hovenier-i Konjufcën për një qëndrim të pretenduar të QUINT’it për Asociacionin? - NACIONALE

(S)a e përgënjeshtroi Hovenier-i Konjufcën për një qëndrim të pretenduar të QUINT’it për Asociacionin?

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe kohëve të fundit e ka artikuluar si njëfarë “premtimi abstrakt” dhe si “binar të dytë” të “binarit të parë” që është: “njëherë njohja ‘de facto’ e mëpastaj Asociacioni”. Së paku kështu e ka paraqitur pozicionin e Kosovës në raport me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Madje, ditëve të fundit, kryetari Konjufca dha edhe një pretendim që ai thotë ta ketë “dëgjuar” nga pesëshja e QUINT’it. Ekziston edhe një binar tjetër i parë, sipas tij, që ai thotë të jetë edhe qëndrim i pesëshes ndërkombëtare. “Njëherë kthimi i serbëve në institucione dhe mëpastaj Asociacioni”.

Unë e kom dëgju që vendet e Quintit kanë thënë se nuk ka Asociacion pa u kthy serbët në institucione. Le të na tregojnë a e kanë ndryshu këtë qëndrim vendet e Quintit apo jo. Unë e kam dëgjuar, mund të iu pajis edhe me deklaratën e tyre. Pa u kthy në institucione nuk ka Asociacion. Dmth nuk mund ta kushtëzoni Asociacionin, duke e shantazhu Kosovën prej Beogradit”, u shpreh ai ditë më parë para gaazetarëve.

Nacionale ka provuar të pajiset me këtë deklaratë/qëndrim të QUINT’it që kryetari Konjufca tha se mund t’i pajis mediat, por pa rezultat. Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Kërçeli, nuk ia ka dërguar Nacionales këtë deklaratë. Së paku jo deri në publikimin e këtij shkrimi dhe dy ditë pas një kërkese të tillë.

Megjithatë, ishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, që në dëgjim të parë, dha një shpjegim që s’mund të mos lexohet si përgënjeshtrim ndaj Kryetarit të Kuvendit; për atë se QUINT ka një qëndrim të tillë: njëherë kthimi në institucione, pastaj Asociacioni.

Është një pyetje e vështirë për mua”, e nisi përgjigjen e tij, Jeffrey Hovenier. Ambasadori nuk mundi t’i krijojë një sekuencim të kësaj dikotomie. Nga perspketiva e Shteteve të Bashkuara, ai tha se “që të dy gjëra duhet të ndodhin”.

Hovenier, tha se nuk e di “cila është sekuenca, shkaku ose pasoja”, duke lënë të kuptohet se nuk mund të shënojë një raport kauzaliteti cila do t’i paraprijë cilës; por se duhet të ndodhin njëherazi.

"Një pyetje e vështirë për mua që t’i përgjigjem, Atë që mund të them është se jam në dijeni që disa serbë e kanë tërhequr këtë paralele dhe kanë bërë këtë lidhje. Nga perspektiva e SHBA-së këto janë dy gjëra që duhet të ndodhin. Është e vështirë për mua të them se cila është sekuenca apo shkaku e pasoja. Ne duam të shohim kthimin e serbëve në institucione", ka thënë ai.

Konjufca, megjithatë, shënon këtë raport shkak-pasojë.

Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin”, pati thënë ai javë më parë. Edhe aty ai thirrej në këtë “qëndrim të QUINT’it” që nuk e kemi parë.

Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë”, pati thënë Konjufca në Kosovapress.

A kanë më kuptim prognozat e Konjufcës?

Nuk njihet për prognoza të sakta në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e veçanërisht jo që nga janari i 2022’ës kur e pati shqiptuar frazën e famshme se Asociacion s’do të ketë “as kësi e as asi”, frazë kjo tashmë e mbarënjohur që qëndron pezull ndër mend të të gjithëve. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tash pretendon tjera premisa. Njëherë njohja “de facto” e vetëm mëpastaj Asociacioni. Kështu e shtronte para as një muaji ai krejt çështjen e Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe Ohër. Por, sa po qëndron kjo?

Ta lexojmë atë para dhe pas Marrëveshjes në Ohër.

Para takimit të Nivelit të Lartë në qytetin maqedonas të Ohrit, Konjufca ishte shfaqur në një intervistë në ATV. Aty jepte një konstatim që edhe kishte edhe s’kishte të drejtë. “Jah, nuk e nënshkruan Serbia marrëveshjen”, shprehej ai. Kjo ngase, siç besonte ai, kur pala serbe e kundërpeshon se çfarë Asociacioni do të merr – që s’do të jetë pushtet i ndërmjetmë – dhe çka do të jep – njohje faktike të shtetësisë së Kosovës – ajo do të tërhiqet. Këtë e kishte edhe dro edhe dëshirë. Serbia e pranoi marrëveshjen pa nënshkrim.

Por, aty tregonte se si do të merr udhë për në Ohër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Shkojmë kështu...marrëveshja është e konstruktuar kështu”, thoshte ai. “Njëherë njohja ‘de facto’ dhe mëpastaj Kosova ia gjen modusin Asociacionit”, ishte bindja e tij. Është kaq e thjeshtë, i thoshte ai intervistuesit të tij. Madje madje, edhe zotimin për Asociacionin Konjufca me rehati e quante “njëfarë premtimi abstrakt”, thjesht si enitet mendor e jo edhe objektiv-institucional.

Pra, çka ne po mundohemi me bë dhe se si është e pozicionume Kosova. Përmes një premtimi abstrakt dhe një instruksioni të Gjykatës Kushtetuese, po don me nxjerrë njohjen ‘de facto’ prej Serbisë. Qekaq është e thjeshtë matematikisht”. Kështu siç thoshte ai, “ne jemi në një pozicion komod”. Barra e parë bie mbi Serbinë, e dyta mbi Kosovën. “Ky Asociacioani i ka principet e Kurtit, letrën e Mogherinit, dhe garancitë e ShBA’së”, vazhdonte ai.

Vjen Ohri...

Pas bisedimeve maratonëshe prej 12 orëve në Ohër, doli në konferencë për media Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ku njoftoi se “kemi ujdi”. Në fjalimin e tij, përkatësisht në pikat e veçanta që po i shpjegonte, ai e nisi me Nenin 7. Kosova, tha ai, “nis menjëherë – dhe kur them menjëherë them menjëherë”, zbatimin e kësaj pike për të siguruar nivel të duhur vetëqeverisje për komunitetin serb të Kosovës në përputhje me marrëveshjet e kaluara të përcaktuara nga Përfaqësuesi Special, e që në rend të parë i binte Asociacioni.

Borrell, nuk thoshte “Serbia nis menjëherë” njohjen de facto, siç vlerësonte Konjufca, por Kosova Nenin 7 dhe Asociacionin.

Shkon Ohri...

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mëpastaj, zu në fjalë prap Asociacionin dhe Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve. Është e ndërtuar mbi dy binarë, tha ai. “Binari i parë është njohja defacto nga ana e Serbisë, kurse binari i dytë është Asociacioni”, beson ai. Dhe këtu dilte në ofansivë. “Kosova duhet të tregojë se nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë hap, pa u realizuar binari i parë e që është njohja de facto [nga Serbia]”, tha Konjufca.

Këtë koment ai e pati bëri pas pohimit të zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, se në takimin e rradhës të Nivelit të Lartë në Bruksel, ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, pritej të paraqitet një draft-Statut fillestar për Asociacionin.

Lajme të ngjashme