Qeveria e parashihte dështimin e referendumit edhe para nisjes edhe para bojkotit, qe pse - NACIONALE

Qeveria e parashihte dështimin e referendumit edhe para nisjes edhe para bojkotit, qe pse

7 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Jo veç me bojkot të referendumit, por edhe pa bojkot procesi i largimit të kryetarëve shqiptarë nga zyret e tyre do të ishte “i paarritshëm”.

Këtë e kishte thënë vetë Qeveria e Kosovës, para afro 4 muajsh në një raport të miratuar me votë në një mbledhje e tyre.

Serbët bojkotuan masivisht referendumin e sotëm për largimin e kryetarëve pas thirrjes së Listës Serbe – por edhe partive tjera opozitare serbe në veri – që të mos i përgjigjen procesit, anipse kishin qenë vetë ata që e kishin inicuar përmes mbledhjes së nënshkrimeve të 20% të elektoratit të regjistruar.

Qeveria e Kosovës – e cila vazhdon ta rëndojë vendin me sanksione nga Bashkimi Evropian saktësisht për shkak të mbajtjes me doemos të kryetarëve shqiptarë në veri me legjitimitet thuajse inekzistent – e kishte ditur qysh në dhjetor të 2023’ës që me këtë proces s’ofron zgjidhje të shkarkimit të kryetarëve.

Në një raport të votuar në mbledhjet të qeverisë të quajtur “Raport i analizës ex-post për mekanizmat e demokracisë lokale, i miratuar me Vendimi e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.22/180 dt.27.12.2023” ata e saktësonin qartë që kjo s’ishte punë që bëhej. Çfarë thonin?

E para, nisma për largim kërkon një kuotë prej 20 për qind të votuesve të regjistruar e që është mjaft sfiduese për t’u arritur. Ndërsa e dyta, procedura e votimit për largim kërkon aprovimin e shumicës së votuesve të regjistruar e cila është e paarritshme dhe mund të bazohet referuar numrit të votuesve që kanë votuar në zgjedhjet lokale”, thuhej në këtë dokument.

Si rrjedhojë, kriteri rigoroz për ndërmarrjen e nismave për shkarkim e bënë pozitën e fortë të kryetarit të komunës, gjë që kjo ka mundur të jetë një nga faktorët për mosndërmarrjen e një iniciative për largim”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Megjithatë ky proces u nis – dhe u ndan 252 mijë euro për të – për t’u bojkotuar en masse në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Pati edhe prej tyre si Zëvendës Ministri i MAPL-së, Arbër Vokrri, i cili – nuk dihet nëse po tallej me mendjen e shëndosh – tha se “ky nuk është bojkot” nga serbët; por përkundrazi, që “serbët i duan kryetarët shqiptarë në zyre që të përshpjetojnë integrimin e tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës”. Megjithatë, talljet anash.

Shefi i këtij të parit, Elbert Krasniqi, tha se detyrë e qeverisë kosovare ishte të organizonte refereundimin por se “votimi u mbetet qytetarëve”:

Por, për institucionet e vendit më e rëndësishme se kjo është obligimi që kemi marrë për të krijuar infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin në mënyrë demokratike vullnetin e tyre duke përmbushur kështu edhe një zotim të dhënë edhe karshi qytetarëve edhe faktorit ndërkombëtar për krijimin e rrethanave për zgjedhje të reja atje”.

Është në duar të qytetarëve atje që të shfrytëzojnë këtë mundësi, ndërkohë që është rendi që secila masë e padrejtë mbi Kosovën të hiqet përfundimisht”, ka shtuar ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se deri në ora 11:00 ka pasur pjesëmarrje të ulët në votimin për apo kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.

Sipas KQZ-së, në katër komuna në veri kanë votuar 85 persona, që është 0.18 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.

Në Mitrovicën e Veriut kanë votuar 32 persona, në Zveçan asnjë votues, në Leposaviq 46, ndërsa në Zubin Potok 7 persona.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka treguar numrin e votuesve.

Qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë t’i presin qytetarët me të drejtë vote. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionet komunale të zgjedhjeve, në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është si në vijim: në Lepsaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok 7 votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 32 votues” - ka thënë Radoniqi.

Lajme të ngjashme