“S`mund të ëndërrojnë bashkëqeverisjen”, “ata mujnë me u ba bashkë”: Frika nga opozita e qet në kundërthënie Kurtin
Kryeministri Albin Kurti fushatën zgjedhore e ka nisur me kritika ndaj partive opozitare. Diskursi i tij politik ndaj opozitës është ashpërsuar pas tubimeve hapëse të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilat ishin masive.
Ashpërsimi i gjuhës ka bërë që shefi i qeverisë të mos jetë edhe konsistont në qëndrimet e tij në raport me opozitën.
Nga takimi në takim ai po bie në kundërthënie me atë që po deklaron.
Derisa në tubimin elektoral në Pejë, ai ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja as nuk mund të ëndërrojnë bashkëqeverisjen pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, dje në Kaçanik ai ka ndryshuar qëndrim.
Duke mbajtur një fjalim në një familje në Kaçanik, ai e ka pranuar se VV-ja në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk mund të jetë bindes dhe se opozita bëhet bashkë mund të ia marrin pushtetin.
“Që nuk e mbërrijmë na, këta tjerët kanë m`u ba si të Avdullah Hoti edhe një herë bashkë. Po masnej sa e mbajnë të këqyrim”, ka thënë Kurti, në një video të publikuar nga zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.
Por, krejt ndryshe ishte shprehur në një takim paraprak që e kishte mbajtur në Pejë.
Parave simpatizantëve të VV-së në Pejë, Kurti ishte shprehur i bindur se opozita nuk ka shanse të ia marrë pushtetin në këto zgjedhje.
Duke iu referuar koalicion qeverisës të LDK-së dhe PDK-së në Pejë, ai kishte thënë se këto dy parti kanë nostalgji për koalicionet e tyre në nivelin nacional.
“Por, këtu qysh e dini edhe ju vet LDK-hy dhe PDK-hy janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjik për të kaluarën, kur kanë keqeverisur bashkë, por nuk mund të jenë më ëndërrimtar që kjo të përseritet në të ardhmen” ka thënë Kurti, duke shtuar se e ardhja i takon partisë së tij.
Sepse e ardhmja është e numrit 118, e koalicioni Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, e ardhmja është e Pejës, e ardhmja është e Kosovës, e armdhja është e Republikës, e gjithë qytetarëve cep mëe cep”, është shprehur Kurti.
Kritikat ndaj gjuhës së Kurtit
Kritikat e kryeministrit Albin Kurti ndaj partive opozitare po vlerësohen si të paarsyeshme. Gjuha denigruese e shefit të qeverisë ndaj partive opozitare në ditët e para të fushatës është dënuar nga njohësit e rrethanave politike.
Ata kanë treguar se kritikat e Kuritit janë nxitur nga tubimet madhështore të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Analisti politik Dukagjin Gorani ka bërë me dijes se takimet hapes të opozitës ishin të frikshme për nga organizimin.
“Tubimet e LDK-së dhe PDK-së të shtunën kanë qenë të frikshme, në kuptimin e popullaritetit, në kuptimin e organizimit dhe në kuptimin e logjikes se piarit dhe përgatitjes së shpalosjes së programit nga kandidatët, kanë qenë të frikshme. Partia Vetëvendosje mundet me u ofendu, sepse se paku këto dy parti, e që besa edhe AAK-ja të nesërmen, po shihet që kanë punua me muaj të tanë me e përgatitë një strukturë dhe një infrastrukturë të gatshme dhe profesionale për zgjedhje”, ka thënë Gorani në emisionin “Pressing”.
Sipas tij, masiviteti i tubime të opozitës ka ndikuar në ashpërsimin
“Tash pse tubimi i VV-së në Gjakovë nuk ka qenë as sa çereku i partive opozitare, në kuptimin e përgatitjes, profesinalitetit dhe në kuptimin e imazhit që është ndërtuar, ai nuk është faj i partive opozitare. Nuk mundesh me i sulmu ashpërsisht dhe brutalisht”, ka thënë Gorani.
Edhe analisti politik Albert Krasniqi e ka kritikuar gjuhen e denigruese të kryeministrit Albin Kurti ndaj opozitës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se me këtë gjuhë Kurti po dëshiron ta tërheq vëmendjen e opozitës.
“Kryetari i VV-së po përpiqet me çdo kusht të tërheqë vëmendjen e opozitës, duke refuzuar të pranojë injorimin e arsyeshëm që po i bëhet. Sot paska përdorur gjuhë denigruese ndaj LDK-së duke i shtrembëruar emrin në "LDKyhi" dhe treguar batuta me miza, që janë pjesë e një diskursi polarizues që shpesh përdoret për të delegjitimuar kundërshtarët ose për t’i nënçmuar, duke i paraqitur si të pavlerë dhe qesharakë. Ky model i sjelljes nga një lider në pushtet është një shembull i keq, i cili mund të lërë pasoja afatgjata në diskursin publik.”, ka shkruar Krasniqi.