“S`duhet të ndodhë më kurrë”: Kërkohen masa ndaj atyre që lejuan mbajtjen e ligjëratës për Speciale në shkollën “Xhevdet Doda” - NACIONALE

“S`duhet të ndodhë më kurrë”: Kërkohen masa ndaj atyre që lejuan mbajtjen e ligjëratës për Speciale në shkollën “Xhevdet Doda”

2 javë më parë

nga NACIONALE

Reagimet ndaj mbajtjes së një ligjëratë mbi Gjykatën Speciale në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë nuk kanë të ndalur. Organizimi i një sesioni të tillë nga YIHR KS në bashkëpunim me zyrtarët e Gjykatës Speciales është dënuar nga institucione të shumta në Kosovë .

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), OVL-UÇK, Komuna e Prishtinës dhe institucione tjera e kanë dënuar një veprim të tillë, duke e cilësuar si politik.

Në reagimin e saj, SBASHK ka vlerësuar se është e papranueshme që institucionet arsimore të shfrytëzohen për promovimin e, siç thuhet, një narrative të njëanshme, me qëllim që nxënësit të binden se Gjykata Speciale përfaqëson drejtësi.

Sipas SBASHK-ut, padrejtësia më e madhe është fakti që, për më shumë se pesë vite, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim, ndonëse, sipas sindikatës, ata ishin luftëtarë të lirisë dhe bashkëpunëtorë të NATO-s në përpjekjet për liri, dinjitet dhe të drejtë për arsimim.

SBASHK rikujton se gjatë represionit serb në Kosovë, Serbia kishte mbyllur të gjitha shkollat shqipe, përfshirë edhe Gjimnazin “Xhevdet Doda”, ndërsa mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit, të organizuar edhe përmes kësaj sindikate, kishin mbajtur gjallë arsimin shqip me sakrifica të mëdha.

Është paradoksale dhe moralisht e papranueshme që sot, në po ato ambiente shkollore, të promovohet një gjykatë që, sipas nesh, po e gjykon në mënyrë të njëanshme luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke barazuar viktimën me agresorin”, thuhet në reagim.

Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur i indinjatën e tij për këtë ligjëratë, duke paralajmëruar masa ndaj përgjegjësve.

Në një konferencë për media, ai ka thënë aktiviteti është zhvilluar pa njoftimin e Drejtorisë së Arsimit apo kabinetit të tij dhe se tashmë janë ndërmarrë veprime për të sqaruar rrethanat dhe për të zbatuar rregulloret në fuqi.

Unë faktikisht kur e mora vesh isha shumë i indinjuar për arsye se nuk ka pasur as leje as koordinim me askënd, as prej drejtorisë as prej kabinetit tim. Kemi ndërmarrë masa të menjëhershme. Pra kush ka bërë një gjë të tillë pa marrë leje, pa koordinim normal që do të ketë edhe veprime të ndryshme. Jam tejet i indinjuar me atë çka kanë bërë, nuk duhet me ndodh kurrë ajo në institucionet tona në qytet e as kund tjetër pa një leje prej Drejtorisë së Arsimit. Ato do të jenë të ndërlidhura me rregulloret në fuqi, do t’i ndërmarrim masat”, ka deklaruar ai.

Edhe akademik Arsim Bajrami ka kërkua përgjegjësi ndaj atyre që e kanë lejua këtë ligjëratë .

Në profilin e tij në “Facebook”, Bajrami ka shkruar se ky veprim nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa reagim të fuqishëm publik.

Organizimi i ligjëratave nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë përbën një akt të rëndë politik, institucional dhe moral, i cili nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa reagim të fuqishëm publik. Ky veprim nuk është i rastësishëm dhe as neutral. Ai përbën pjesë të një strategjie të vazhdueshme për normalizimin e një mekanizmi gjyqësor politik, i cili që nga themelimi i tij ka pasur për qëllim kompromitimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe relativizimin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Drejtoria e Arsimit në Prishtinë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) bartin përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe institucionale për lejimin e këtyre ligjëratave në shkolla. Institucionet arsimore nuk janë dhe nuk duhet të shndërrohen në hapësira propagandistike për struktura që synojnë të rishkruajnë historinë e Kosovës dhe të kriminalizojnë rezistencën për liri”, ka shkruar ai.

Kurse, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar nga drejtuesit e shkollave që në të ardhmen të refuzojnë hyrjen e zyrtareve të Speciales në shkolla.

Janë duke përgatitur ndonjë terren, me siguri për ne është e papranueshme, ne e dënojmë si akt të tillë. Ju bëj apel gjitha shkollave në Kosovë që mos t’i pranojnë gjykatën speciale që të bëjë fushatë apo ligjërata nëpër shkolla tona në Kosovë askund. Është mirë kryetari i komunës që të marrë masa ndaj atij drejtori, nuk po them me suspenduar nga puna, larg asaj, por me marrë masa disiplinore ndaj tij, kënd e ka pyetur, kush i ka dërguar atij. Që të japë llogari edhe ai, sepse atij nuk i kanë pikur nga qielli, dikush e ka thirrur në telefon dhe i ka thënë le t’i pranojë përfaqësuesit e Gjykatës Speciale që të shkojnë në shkollën “Xhevdet Doda” me mbajt ligjërata apo me bërë fushatë në shkolla”, ka thënë Gucati.

YIHR: Ligjërata për Specialen është mbajtur me lejen e shkollës

Gjatë ditës së sotme, ka reaguar edhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), e cila ka organizuar ligjëratën mbi Gjykatën Speciale në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e ka pranua se ligjërata është mbajtur në bashkëpunim me zyrtarët e Speciales.

Në reagimin e kësaj organizate është thënë se aktiviteti është realizuar me lejen e institucionit arsimor.

YIHR KS ka treguar se çfarë informacionesh kanë prezantuar.

YIHR KS sqaron se sesioni informues i mbajtur në shkollën “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor. Sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Këto sesione janë pjesë e programit tonë për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën. Gjatë sesionit është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke përfshirë mandatin dhe kompetencat e tyre, si institucion i Republikës së Kosovës”, është thënë në regimin e kësaj organizate.

Më tej, kjo organizatë ka bërë me dije se sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit afatgjatë të YIHR KS për të kontribuar në promovimin e drejtësisë tranzicionale.

YIHR KS, prej më shumë se 20 vitesh nga themelimi i saj, ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme me fokus në të drejtat e njeriut, ballafaqimin me të kaluarën dhe fuqizimin e të rinjve dhe të rejave në Kosovë. Sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit afatgjatë të YIHR KS për të kontribuar në promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe ne do të vazhdojmë me punën dhe aktivizmin tonë në këtë fushë”, është thënë në reagim.

Lajme të ngjashme