Rusia pretendon se e ka marrë kontrollin e qytezës Soledar - NACIONALE

Rusia pretendon se e ka marrë kontrollin e qytezës Soledar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendon se forcat e saj e kanë marrë nën kontroll qytezën lindore ukrainase, Soledar, raporton agjencia TASS.

Marrja e kësaj qyteze do t’ia mundësonte ushtrisë ruse shkëputjen e forcave ukrainase nga Bakhmuti, vendbanim më i madh që ndodhet afër Soledarit.

Televizioni “Al Jazeera” nuk ka mundur që ta vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimin e ministrisë ruse.

Ditëve të fundit është raportuar për luftime të ashpra në Soledar dhe të dyja palët kanë raportuar të dhëna kundërthënëse për situatën atje.

Ukraina tha të premten se forcat e saj ende janë duke bërë rezistencë në qytezën e njohur për minierën e kripës pas një lufte “të nxehtë” të luftimeve. Soledari është bërë njëra ndër fushëbetejat më të përgjakshme në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Agjencia “Reuters” raporton se të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha gjatë betejës për këtë qytezë. Moska është duke e kërkuar atë që do të ishte fitorja e parë e madhe pas një gjysmëviti me humbje poshtëruese.

Grupi i mercenarëve, “Wagner”, i cili udhëhiqet nga një aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, ka pretenduar se e ka marrë qytezën nën kontroll, por Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk kishte ofruar shumë hollësi për gjendjen atje. Një zyrtar lokal i emëruar nga Rusia tha të enjten se në Soledar ka ende “xhepa” të rezistencës.

Ndërkohë zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, në rrjete sociale shkroi: “Nata në Soledar ishte e nxehtë, betejat vazhduan. Armiku i hodhi pothuajse të gjitha forcat kryesore në drejtimin e Donetskut dhe mban intensitet të lartë të ofensivës. Luftëtarët tanë po mundohen trimërisht që ta mbajnë mbrojtjen. Kjo është një fazë e vështirë e luftës, por ne do të fitojmë. Nuk ka dyshim.”

Lajme të ngjashme