Ushtari ukrainas në Soledar: Pse të vdesim, kur edhe ashtu do të largohemi sot ose nesër? - NACIONALE

Ushtari ukrainas në Soledar: Pse të vdesim, kur edhe ashtu do të largohemi sot ose nesër?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ushtar ukrainas e ka përshkruar për televizionin CNN situatën në qytezën lindore, Soledar, ku po zhvillohen luftime të ashpra mes ushtrisë ukrainase dhe luftëtarëve rusë e mercenarëve të grupit “Wagner”. Ai është shprehur pesimist për mundësinë që ky vendbanim të mbahet jashtë kontrollit të armikut.

Ky ushtar është pjesë e brigadës së 46-të të forcave ajrore, e cila është duke i udhëhequr luftimet e forcave ukrainase për ta mbajtur nën kontroll Soledarin përballë një sulmi masiv nga trupat ruse dhe mercenarët e grupit “Wagner”. Televizioni CNN nuk e ka publikuar emrin e ushtarit për arsye sigurie.

“Situata është kritike. E vështirë. Po mbahemi deri në të fundit”- tha ai. Ushtari përshkroi një fushëbetejë dinamike, ku kontrolli i ndërtesave ndërrohet përditë dhe njësitet nuk mund ta përcjellin numrin e të vrarëve.

“Askush nuk do t’ju tregojë se sa të vdekur dhe të plagosur janë atje, sepse askush nuk e di sigurt, asnjë person. As në selinë qendrore, as askund. Pozicionet po merren dhe po rimerren vazhdimisht. Ajo që sot ishte shtëpia jonë, nesër bëhet e Wagner-it. Në Soledar, askush s’i numëron të vdekurit”- shtoi ai.

Sipas tij, nuk qe e qartë deri të martën në mbrëmje se sa territor të qytezës kontrollojnë rusët. “Askush nuk mund të thotë përfundimisht se kush ku ka lëvizur dhe kush çka kontrollon, sepse askush nuk e di sigurt. Ekziston një zonë e madhe e hirtë në qytet për të cilën të gjithë pretendojnë se e kontrollojnë, [por] është vetëm një mburrje boshe”- shtoi ushtari ukrainas.

Ai tha se beson që udhëheqësit ushtarakë të Ukrainës në fund do të heqin dorë nga luftimet për Soledarin dhe pyeti se pse nuk është bërë një gjë e tillë ende.

“Të gjithë kuptojnë se qyteti do të braktiset. Secili e kupton këtë. Vetëm dua të kuptoj se cili është qëllimi [i luftimeve shtëpi më shtëpi]. Pse të vdesim, kur do ta braktisim atë edhe ashtu, sot ose nesër”- tha ushtari ukrainas.

Brigada e 46-të e forcave ajrore tha të martën se situata në Soledar qe “shumë e vështirë, por e menaxhueshme”.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i falënderoi ushtarët e kësaj brigade “për trimërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre gjatë mbrojtjes së Soledarit”.

Lajme të ngjashme