Plani franko-gjerman e "nervozon" Rusinë, Gjermania i "gëzohet" suksesit
Një momentum i ri për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë krijuar. Gjasat që ajo të nënshkruhet ekzistojnë. Madje, kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar si “bazë” të mirë planin franko-gjerman, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq është parë më i rezervuar. Tashmë plani franko-gjerman po quhet si propozim i Brukselit, gjersa kuptueshëm Bashkimi Evropian është i interesuar për një marrëveshje.
Këtij plani, të shumëpërfolur kohëve të fundit, i kanë dhënë “bekimin” dhe përkrahjen e tyre edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është pala që zakonisht jep garancitë “de facto” për zbatim të marrëveshjeve.
Natyrisht, përkrahje planit i kanë ofruar edhe Gjermani e Franca, që qëndrojnë prapa dizajnimit të draftit të parë.
Ndërsa, dje Rusia, e cila po vazhdon invazionin e paprovokuar në Ukrainë, u pa e gjallë dhe u deklarua për planin franko-gjerman, që ndryshe po njihet si plani i Brukselit.
E sot për këto çështje, e posacërisht për marrëveshjen për targa e me gjasë edhe për planin franko-gjerman, kryeministri Kurti do të flasë para deputetëve të Kuvendit, në një interpelancë paralementare.
Dy deklaratat antagoniste
Dy deklarata të reja i janë shtuar debatit mbi planin franko-gjerman. Natyrisht shumë të ndryshme për nga gjuha e përmbajtja. Njëra përkrahëse e planit franko-gjerman, tjetra shumë e ashpër kundrejt Perëndimit.
E para deklaratë ishte ajo e presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili vlerësoi të martën e 29 nëntorit se propozimet për marrëveshje u janë propozuar palëve me synim të normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.
“Sa i përket raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, mund t’ju them se i gjithë Bashkimi Evropian është i interesuar që sa më shpejt të vijë deri te normalizimi i raporteve mes tyre. Për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem se propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe ai po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, ka dekalruar Steinmeier, raporton REL.
Ndërsa deklarata e dytë erdhi nga ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, që kuptueshëm vetëm se elektrizoi situatën. Nëpërmjet një komunikate, ambasadori rus e cilësoi propozimin si “hedhje të benzinës në zjarr”.
“Me fjalë të tjera: Perëndimi e uli tensionin e problemit të targave, të cilin Prishtina e krijoi artificialisht, por nuk e bëri për të normalizuar situatën në krahinë. Tani po i hedh sërish benzinë zjarrit.”, theksoi ambasdori rus.
Interpelanca pas intervistës
Intervista e shumë diskutuar e kryeministrit Kurti u publikoi gjatë dy ditëve të kaluara. Ndonëse pjesa e diskutueshme, ajo për “informatat më të shumta” të ambasadorit amerikan mbi situatën në veri, ishte larguar, të cilën “heqje” e konfirmoi edhe vetë gazetari.

Në intervistë Kurti foli për nevojën e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke thënë se nuk dialogon për menaxhim të krizës.
“Nuk jam kokëfortë. Kam parime. Ka parime dhe vlera të cilave i përmbahem... Ne nuk shkojmë në Bruksel për të negociuar mbi zyrtarët policorë, prokurorët, doganierët dhe shefat e kadastrave. Ne jemi aty si përfaqësues të dy shteteve që po negociojnë normalizimin e raporteve të tyre. Ka të bëjë me dialogun dhe për marrëveshje në parim, jo veç për dialogun rreth menaxhimit të krizës. Nuk na vyen dialogu për hir të dialogut por për të treguar që Brukseli është aktiv. Nuk do të kisha shkuar në Bruksel vetëm për targa.” – tha Kurti.
E për këto parime, por me shumë gjasë shumë më shumë për marrëveshjen për targat, sot do të flasë Kurti në Kuvend. Kryeministri do të qëndrojë përballë deputetëve në interpelancën në lidhje me masat “urgjente” të Qeverisë në raport me gjendjen e sigurisë në Kosovë.
Seanca e ftuar nga opozita pritet të fillojë rreth orës 11:30, ku do të diskutohet për situatën e sigurisë e atë politike në veri pas tensioneve për targat ilegale të Serbisë.


