Presidenti i Gjermanisë, Steinmeier: Propozimi franko-gjerman ka arritur sukses dhe po pranohet
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë gjatë ditës së sotme se plani franko-gjerman po arrin sukses në procesin e normalizimit të marrëdhënie në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë se ky plan po pranohet nga palët.
Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, presidenti gjerman ka deklaruar se plani mund të inkurajojë palët që të ecin përpara.
“Sa i përket raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, mund t’ju them se i gjithë Bashkimi Evropian është i interesuar që sa më shpejt të vijë deri te normalizimi i raporteve mes tyre. Për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem se propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe ai po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, ka dekalruar Steinmeier, raporton REL.
Edhe përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë e kanë pranuar ekzistimin e planit franko-gjerman tashmë, i cili u është prezantuar palëve në shtator të këtij viti.
Tani zyrtarët e Bashkimit Evropian këtij plani po i referohen si plan i BE-së, ka treguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Plani si bazë e mirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë e ka konfirmuar ekzistencën e planit franko-gjerman. Madje, ai e ka dhënë edhe mendimin e tij për këtë plan.
“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur meqenëse konceptet që aty përdoren janë vlera. Për dallim nga herët e kaluara, konceptet janë të duhura. Domethënë, tash nuk jemi te ajo. Tash jemi te vlerat. Dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur”, ka thënë ai.
Sipas tij, Serbia është kundër këtij propozimi dhe po mundohet t`i shmanget.
Madje, ai ka bërë me dije se tensionet e fundit në veri që rezultuan me dorëheqjet masive të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës ishin rrjedhojë e përpjekjeve të Serbisë për ta sabotuar planin.
“Unë e thashë shumë qartë se qëllimi i Beogradit nuk është për të mos e pranuar planin. Por, për ta maskuar refuzimin e planit. Ata e kanë refuzuar planin. Por, duan ta maskojnë refuzimin. Ata po i bëjnë këto drama për këtë çështje”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, gjithçka rreth këtij plani ka nisur më 18 gusht në Bruksel, kur ishte diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.
“Unë jam i bindur që deri më datën 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, dakordime të vogla, koncesione, dialog për dialog (nganjëherë) por më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dhe më 9 shtator, patën ardhë në zyrën time këtu përfaqësuesit e kancelarit Scholz dhe presidentit francez”, ka thënë Kurti.
Palët kanë dhënë propozimet për planin
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Polikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, ka bërë me dije se tashmë Serbia dhe Kosova i kanë dhënë edhe vërejtje e tyre rreth këtij plani.
Ai ka treguar se tashmë kanë marrë edhe përgjigje nga të dyja palët, duke shtuar se ato tani po i studiojnë.
“Ne kemi punuar shumë për këtë me përfaqësuesin e posaçëm, Miroslav Lajçak, para verës ne i paraqitëm një plan të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, për të kapërcyer krizën e përhershme, ku kemi punuar dhe për të kërkuar një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes tyre, dhe unë jam shumë mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës për këtë propozim. Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët, po i studiojmë ato, dhe mendoj se ky është një rast i mirë që duhet të shfrytëzohet për ta bërë më normale marrëdhënien mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Borrell para takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të G7 në Munster të Gjermanisë.
Kosova dhe Serbia nuk kanë treguar për se çfarë përgjigjesh kanë dhënë në raportin. Deri me tani as BE-ja nuk ka tregua se çka përmbajnë propozimet e palëve.


