Rubio përmendet si emër për sekretar Shteti në ShBA, ishte takuar me Thaçin më 2018
Senatori nga Florida, Marco Rubio, është në mesin e emrave që po shqyrtohen për t’u emëruar sekretar i Shtetit në administratën e re të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i thanë televizionit CBS dy burime të paidentifikuara, të afërta me procesin.
Televizioni CBS, partner i televizionit BBC në ShBA, gjithashtu raportoi se ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, mund të emërohet në postin e kryediplomatit.
Rubio kishte garuar kundër Trumpit për nominimin e Partisë Republikane para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Të dy ishin përplasur disa herë publikisht.
Trumpi e kishte quajtur Rubion “Marco i vogël”, ndërsa senatori nga Florida ishte tallur me “duart e vogla” të presidentit.
Sidoqoftë, Rubio është bërë përkrahës i palëkundur i Trumpit dhe është shfaqur me të në tubime të fushatës javëve të fundit. Ai ishte përmendur si kandidat i mundshëm për nënpresident.
Grenelli gjithashtu është njeri besnik i Trumpit. Ai ka shërbyer më parë si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani dhe emisar amerikan për dialogun Kosovë – Serbi.
Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara në nëntor të vitit 2018, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në vargun e disa takimeve, ishte takuar edhe me senatorin Rubio.
Sipas një njoftimi në uebfaqen zyrtare të Presidencës së Kosovës, publikuar më 29 nëntor 2018, disa ditë para se Kuvendi i Kosovës ta miratonte transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
“Për transformimin e FSK-së dhe për dialogun me ndërmjet Kosovës e Serbisë, presidenti Thaçi ka biseduar edhe në takimin e zhvilluar me senatorin republikan Marco Rubio” – thuhej në njoftimin e Presidencës.
"Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, ka thënë presidenti Thaçi" - thuhej më tej.