Rryma, 'Skifteri' dhe vendimi i Kushtetueses: Çka u diskutua në Episodin 5 të 'POV Nacionale' - NACIONALE

Rryma, 'Skifteri' dhe vendimi i Kushtetueses: Çka u diskutua në Episodin 5 të 'POV Nacionale'

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ndonëse bëhet fjalë për zhvillime brenda kësaj jave, temat e trajtuara në episodin e sotëm në 'POV - Nacionale' mund t'ua krijojnë iluzionin e një periudhe shumë më të gjatë kohore. Dhe është pikërisht tema e energjisë elektrike ajo që mund t'ju fusë në këtë kurth.

Pse t'i rikthehemi një teme të vjetër, ku shtrenjtimi i fundit ndodhi më pak se një vit më parë? E zorshme për t'u besuar, por bëhet fjalë për një tjetër paralajmërim shtrenjtimi prej plot 21 për qind. KESCO ka dorëzuar kërkesën e re në ZRRE dhe, nëse miratohet, do të jetë rritja e tretë e tarifave në katër vjet.

Por, pavarësisht shokut që solli paralajmërimi për një tjetër shtrenjtim të rrymës, kjo temë dështoi ta dominojë opinionin publik. Tema që padiskutueshëm ngjalli më së shumti reagime është droni i famshëm "Skifteri K1" – droni që u prezantua me bujë, madje edhe nga kryeministri Albin Kurti, si, gjoja, 'Made in Kosova'.

Megjithatë, narrativa u përmbys tërësisht kur dolën dyshimet se videoja e testimit mund të jetë e manipuluar, e marrë nga një kompani kineze. Ndërkohë, Kurti, i cili e kishte promovuar me zell këtë dron nga pozita e kreut të qeverisë së Kosovës, u përpoq ta justifikonte skandalin duke deklaruar se “nuk mund t’i di hollësitë e secilës kompani”.

Madje, në profilin e tij në Facebook vazhdon të qëndrojë postimi promovues për këtë dron, ku shkruante si në vijim:

“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak "Skifteri" dhe dronët civil, nga "Future Minds Academy" dhe MIGA SkyShield MAR.

‘Made in Gjilan’ përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h.”

Një tjetër zhvillim domethënës i kësaj jave ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit. Sipas këtij Aktgjykimi, Kushtetuta është shkelur pasi nënkryetari duhet të propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit përkatës, ndërkohë që Rashiq u propozua nga Dimal Basha, duke anashkaluar procedurat.

Për këto dhe më shumë, ndiqni emisionin "POV - Nacionale":

Lajme të ngjashme