Rrjedhin 1,5 milion litra ujë radiokativ në një central bërthamor të ShBA-së - NACIONALE

Rrjedhin 1,5 milion litra ujë radiokativ në një central bërthamor të ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët janë duke e vëzhguar pastrimin e një rrjedhjeje të 1,5 milion litrave të ujit radioaktiv nga një central bërthamor në Minesota të Shteteve të Bashkuara.

Kompania “Xcel Energy”, e cila e menaxhon centralin, tha se rrjedhja “është kufizuar plotësisht në vendin e ngjarjes dhe nuk është vërejtur përtej objektit”, raporton televizioni BBC.

Zyrtarët shtetërorë kanë thënë se nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm ndaj shëndetit publik.

Rrjedhja ishte zbuluar së pari në fund të nëntorit, por zyrtarët shtetërorë nuk e njoftuan publikun deri të enjten.

Uji në këtë central përmban tritium, nënprodukt i rëndomtë i operacioneve të centraleve bërthamore.

Izotop që shfaqet në mënyrë të natyrshme i hidrogjenit, tritiumi lëshon një formë të dobët të rrezatimit beta, i cili nuk udhëton shumë larg në ajër dhe nuk mund të depërtojë përtej lëkurës së njeriut, sipas Komisionit Rregullues Bërthamor.

Kompania “Xcel” fillimisht e kishte vërejtur rrjedhjen e ujit radioaktiv më 21 nëntor, nga një gyp mes dy ndërtesave. Centrali ndodhet rreth 50 kilometra nga qyteti me popullsinë më të madhe në Minesota, Mineapolis.

Zyrtarët shtetërorë thanë se kishin pritur për të marrë më shumë informata para se ta bënin publike rrjedhjen, por konfirmuan se uji mbetet i kufizuar në pronën e kompanisë dhe se nuk paraqet rrezik të menjëhershëm ndaj shëndetit publik.

Lajme të ngjashme