Rritja e çmimeve: Tabela e frikshme që tregon se qysh u shtrenjtuan produktet për 1 vit - NACIONALE

Rritja e çmimeve: Tabela e frikshme që tregon se qysh u shtrenjtuan produktet për 1 vit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës u zyrtarizua shtrenjtimi i energjisë elektrike për 15 për qind, një vendim që u komentua shumë e që po vazhdon të ngjallë shumë reagime në rrjetet sociale. Krahas energjisë elektrike, Kosova që nga marsi i vitit të kaluar është përballur me inflacion të lartë, i cili shkoi deri në mbi 14 për qind në korrik e gusht të 2022, sipas Agjencisë së Statistikave.

Në vazhdimësi Kurti është përballur me kritika rreth shtrenjtimit të kostos së jetës, përfshirë varfërimin e qytetarëve si rrjedhojë e çmimeve të larta. Ekonomisti i njohur, Edison Jakurti, që dikur ka qenë edhe zëvendësministër në Qeverinë Kurti I, ka publikuar një tabelë, ku shihet realiteti i inflacionit gjatë një vitit.

Në tabelën e Jakurtit, shihet rritje pothuajse në shumicën dërrmuese të produkteve ditore të kosovarëve. Orizi është rritur për 17,6 për qind, makaronat për 19,5 për qind, qumështi tetrapak mbi 20 për qind, e ajka gati 30 për qind. Tutje, rritje përgjatë marsit 2022 deri në marsin 2023 ka shënuar edhe mishi i gjedhit (për 22 për qind) e mishi i bardhë zogu për 6,7 për qind.

Natyrisht, kishte edhe produkte që kanë shënuar ulje, me vajin ushqimor e pataten e re që ka arritur uljen më të madhe. Në komentin e tij për këtë tabelë, z. Jakurti shkroi se pjesa më e madhe e produkteve ka pësuar rritje të madhe në çmim gjatë një viti.

“Siç mund të shihet, pjesa më e madhe e produkteve ka pësuar rritje më të madhe sesa vetë norma vjetore e inflacionit që duhet të jetë rreth 11%. Kjo do të thotë rënie e fuqisë blerëse dhe, rrjedhimisht, rënie e mirëqenies që shkon përtej normës së përgjithshme të inflacionit.” – shkroi ndër të tjera z. Jakurti.

Tutje, ekonomisti, që është i afërt me VV-në, shkroi se duhen politika adekuate për të ulur ndikimin e inflacionit.

“Tashmë janë bërë më shumë se një vit e gjysmë që bëj pjesë tek ekonomistët që fatkeqësisht kishin të drejtë kur thoshin se normat e larta të inflacionit nuk ishin tranzitore - ato kishin ardhur për të qëndruar një kohë. Një qëndrim të ngjashëm e mbaj edhe sot: norma e lartë e inflacionit duket të jetë problemi kryesor i ekonomisë së Kosovës edhe këtë vit. Për këtë, duhen politika adekuate në planin afatmesëm.” – shkroi ai.

Rritja e energjisë elektrike

Sot gjatë ditës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike, që tani e tutje do të jenë në rritje prej 15 për qind. Kështu është vendosur në mbledhjen e sotme të Bordit të ZRrE-së. Arsyetmi i rritjes së tarifa u bë mbi bazën për furnizim të rregulltë me energji elektrike.

Propozimi i departamentit të tarifave në bazë të shtrenjtimit për 15 për qind është ky. Për konsumatorët deri 300 kWh rritja mujore në supozimin se konsumi do të jetë 60 me 40, do të ketë rritje prej 2 e 88 centë. Për konsumatorët deri 450 kWh prej 4 e 18 centë. Për konsumatorët deri në 600 kWh rritja do të jetë 5 euro, deri në 800 kWh, që janë 80 për qind e konsumatorëve që i takojnë këtij brezi, rritja do të jetë 7 e 23 centë. Për ata që harxhojnë 1000 kWh, rritja do të jetë 10.51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 kWh, rritja do të jetë 13.80 euro.

Lajme të ngjashme