Rritet vlera e importeve nga Serbia – 1.4 milionë euro më shumë se në janar të vitit 2022 - NACIONALE

Rritet vlera e importeve nga Serbia – 1.4 milionë euro më shumë se në janar të vitit 2022

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Vlera e lartë e importeve nga Serbia ka qenë ndër kritikat më të mëdha ndaj qeverisë Kurti gjatë vitit 2022. Mbi 370 milionë euro ishte vlera totale e importuar nga ky vend vitin e kaluar. Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja që aktivistët e partisë në pushtet të nisin një fushatë ku bënin thirrje për bojkotimin e produkteve serbe. A e arriti efektin e dëshiruar fushata e partisë në pushtet?

Në fund të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje, partia e cila kishte rrokullisur aq shumë maune me produkte serbe gjatë kohës se opozitarizmit, ndonëse në pushtet, kishte dalë në rrugë për një fushatë “ndërgjegjësuese” kundër produkteve serbe.

“Asnjë cent Serbisë kriminale” – ishte titulli i postimit, ku njoftohej se Rinia e Lëvizjes ka filluar një fushatë sensibilizuese për bojkotimin e produkteve të shtetit serb. E njëjta fushatë kishte vazhduar edhe në shumë qytete të Kosovës.

Mirëpo, duket se në bazë të të dhënave të janarit 2023, fushata e VV-së për bojkotimin e produkteve serbe, përveç që nuk ka arritur asnjë sukses, duket se ka pasur efekt të kundërt. Kosovarët ende po vazhdojnë të konsumojnë sasi të tepërt të mallrave serbe pavarësisht fushatës së LVV.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, që nga janari i këtij viti, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 17 milionë euro. Krahasuar me të njëjtin muaj të 2022-es, këtë vit janë importuar 1.4 milionë euro më shumë. Ndërsa krahasuar me vitin 2021, rreth 2 milionë euro më shumë.

Nëse llogaritet vlera totale e importit nga Serbia gjatë vitit të kaluar, rezulton në një vlerë mbi 1 milion euro në ditë.

Pijet freskuese vazhdojnë të mbeten produkti me i importuar nga Serbia gjatë viteve. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, top produktet e importuara nga Serbia gjatë vitit 2022 ishin pijet freskuese, gruri, benzina dhe vajrat, demat, biskotat, kontinerët, misri, ushqimi për kafsh, etj.

Nëse krahasojmë me importin, eksporti i Kosovës në Serbi është shumë më i vogël. Vetëm 60.7 milionë euro eksportoi Kosova drejt këtij shteti në vitin 2022. Që nga janari i vitit 2022 deri në dhjetor, Serbia ka marrë gjithsej 54.6 milionë euro para nga Kosova vetëm për pije freskuese.

Top produktet e Kosovës që eksportohen në Serbi janë tubat e çeliut, koks nafte, energji elektrik, luleshtrydhe, pllaka prej plastike, paleta prej druri, etj.

Vlera e lartë e importit nga ky shtet u përdor shpesh nga opozita për të akuzuar pushtetin se nën qeverisjen e tyre tregu kosovar po pushtohet nga produktet serbe.

Si qëndron Kosova me eksport dhe import?

Kur shifrat janë të favorshme për partinë në pushtet apo partitë opozitare, si qeveria ashtu edhe opozita nuk hezitojnë t'i përmendin. Megjithatë, jo rrallë herë të dyja palët dinë t'i keqinterpretojnë ato.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, importi i Kosovës gjatë vitit 2022 ka arritur vlerën mbi 5.6 miliardë euro ndërsa eksporti mbi 860 milionë euro

Krahasuar me vitin 2021, eksportet janë rritur me mbi 100 milionë euro, ndërsa importet me mbi 1 miliard euro. Kjo diferencë e madhe në import dhe eksport rezulton që deficiti tregtar i Kosovës të arrijë vlera rekord.

Nëse shikojmë të dhënat e importit në 5 vitet e fundit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, eksporti ka shpërthyer që nga viti 2021.

Deri në vitin 2020, Kosova ka përjetuar rritje në eksport tepër të ngadaltë, dy vite më pas është dyfishuar duke arritur mbi 860 milionë euro në vitin 2022.

Vendi ka pasur thuajse të njëjtin fat edhe me importin i cili që nga viti 2020(3.2 miliardë) deri në vitin 2022(5.6 miliardë) gati është dyfishuar.

Sa i përket shkëmbimit të mallrave me Serbinë, importet me këtë vend gjatë vitit 2022 preken shifrën e 371.6 milionë eurove. Kjo shifër u përdor shpesh nga opozita për të akuzuar pushtetin se nën qeverisjen e tyre tregu kosovar po pushtohet nga produktet serbe.

Nacionale ka marrë të dhënat nga ASK-ja për eksportin dhe importin e Kosovës me Serbinë në 10 vitet e fundit. Sa i përket importeve, nëse krahasojmë periudhën që nga heqja e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, rritja e importit është padyshim eksponenciale.

Megjithatë, nëse kthehemi prapa në kohë, shifrat nuk janë shumë premtuese për argumentet e opozitës pasi që nga viti 2014 deri në vitin 2018 importi nga Serbia ka qenë shumë i lartë. Vlen të theksohet se në vitin 2017 Kosova importoi nga Serbia gati 100 milionë euro më shumë se në vitin 2022.

Ndërsa në eksport, edhe pse në vlerë shumë më të vogël, eksporti i Kosovës në Serbi është mbi 60 milionë euro, që është edhe vlera më e madhe.

Lajme të ngjashme