Merr fund tregimi i VV-së se i kanë të mirëqena votat e Limajt për qeveri: O' marrëveshje të plotë, o' hiç
- Ose marrëveshje të plotë, ose hiç...përveç numrave, tjerat janë lojë fjalësh.
Tregim i Vetëvendosjes se i kanë votat për qeveri por jo për kryetar të kuvendit – mori fund.
Shembja e këtij narracioni të përsëritur pafund erdhi nga askush më pak se vetë Fatmir Limaj.
Në intervistë te Adriatik Kelmendi në “Rubikon”, Limaj hoqi çdo dilemë se mund të ketë “marrëveshje të pjesshme” mes Nismas Socialdemokrate dhe Vetëvendosjes.
Këtë “K.O” Limaj e dha kur intervistuesi i tërhoqi vëmendjen nga diskursi i etabluar i VV-së që i merr të mirëqena tre votat e partisë së tj. “Jo”, tha Limaj.
E nisi me atë që me Kurtin ka pasur ‘marrëveshje gjentëllmene’ që ai është pajtuar që me Limajn të ketë koalicion parlamentar dhe t’ia jep postin e Kryetarit të Kuvendit.
Për këtë gjë, tha Limaj, “i kemi cakërruar gotat”. Kjo në dy takime dy ditë para seancës së parë konstitutive, më 13 dhe 14 prill.
Por, krejt papritur propozoi Albulena Haxhiun.
Kelmendi e pyeti se si “ju keni bërë gëzuar” dhe nuk është propozuar pavarësisht dakordimit.
“Nuk e di”, tha Limaj, “por një gjë e di, nuk kanë qenë votat”. E për atë që nuk janë votat “ma tha zoti Kurti”.
“Ka gjëra që s’mund t’i flas, nuk mund t’i flas për shkak të kodit të tavolinës”, tha Limaj.
Intervistuesi ia policoi implikimet e asaj që shpaloi Limaj, se Vetëvendosja propozoi – tash e tridhjetë herë – Albulena Haxhiun; dhe se votat e Nismas partia e Albin Kurtit i merr të mirëqena.
Limaj tha “jo”. Marrëveshja, tha ai, ose është e plotë edhe në nivel të parlamentit edhe të qeverise “ose s’ka marrëveshje fare”.
“Kurti e ka të qartë, ia kam thënë. Ne e përcjellim marrëveshjen nga Kuveni në qeveri, nëse s’ka marrëveshje të plotë, s’ka marrëveshje. Kaq. Nuk ka marrëveshje për njërën pjesë, m’e pas për qeveri por jo për kuvendin. Ka ose të plotë ose hiç”, shtoi ai.
E ktheu në retorike: “a më lehtë me u bë votat për kryetar të kuvendit a për qeveri? Nëse ju s’un i bëni votat për kryetar të kuvendit qysh i bëni për qeverinë?”
Se ku qëndrojnë gjërat, Limaj tha se “flasin numrat” dhe se “gabimi është që nuk ka marrëveshje politike”.
“Pa marrëveshje politike s’ka me pas as qeveri, as kryetar të kuvendit, këto tjerat janë veç lojë fjalësh”, tha Limaj.
“Kemi pasur marrëveshje gjentellmene me Kurtin për kryetarin e kuvendit.
Jo me shkrim. Dakordim gojor. I kemi cakërruar gotat. Me ujë. Ai ka mbetur me shku me fol me partinë e vet. Unë jam jetëgjatë në politikë. Nuk jam avanturist.
Është normale me pas vështirësi...nëse s’don me bë trika, lehtë është. Për një minutë kryhet. Unë s’i kam thanë ami 6 ministra.
Partneritet në nivel kuvendi kam kërkuar. Rezervat kanë qenë, është normale – por besoj që rrugës partneri ndërtohet, dhe kalojnë rezervat.
Nëse marrëveshja nuk është e plotë, gjysma ka mbet”, tha ai.