Rreth flamurit të pabashkuar: Mbledhja e përbashkët e Kuvendeve shpërfaq ndasi mes PS-së dhe VV-së
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës po mbajnë një mbledhje të përbashkët për nder të 28 nëntorit. Por, ata s’u përbashkuan aq sa u përndanë sërish.
“Wow, çfarë pamje impozante!” – ishte komenti i bërë në foltore nga Mimoza Kusari Lila. Ky mund të jetë epigrafi i gjithë asaj që ndodhi sot me deputetët e Vetëvendosjes që po shpërndajnë fotografi e pamje nga Kuvendi i Shqipërisë.
Fjalime mbajtën kryekuvendarët Lindita Nikolla e Glauk Konjufca, e më pas edhe kryesuesit e grupeve parlamentare të partive politike. Në këtë pikë, megjithatë ndodhi diçka e rëndësishme: fjalimi i deputeti turk Enis Kervan që ishte një frymëmarrje lehtësimi nga nacionalizmi etnik që po promovohej aty.
“Grupi Multientnik i përbërë nga boshnjakë, romët dhe egjiptasit dhe ashkalinjtë, ju urojnë 110 vjetorin dhe mbledhjen e parë historike të dy kuvendeve, i shprehim dëshirat edhe urimet tona më të mira.” – tha z. Kervan mes tjerash.
Konjufca i rikthehet “kombit shqiptar”
Krykuvendari Glauk Konjufca, për dallim nga intervista e tij e fundit ku pranonte “kombin kosovar” dhe denonconte Serbinë që donte të fliste me Shqipërisë për fatin e Kosovës, tash foli sërish për “kombin shqiptar.”
“Të gjithë heronjtë tanë luftuan e ranë për kombin tonë, meqë e kishin në zemër 28 nëntorin,” – tha z. Konjufca.
PS-ja përmend “luftarët e UÇK-së në Hagë”
Për dallim nga deputetët e shumicës në Kuvendin e Kosovës (përveç Abelard Tahirit) ata të Kuvendit të Shqipërisë, përmendën ish luftëtarët e UÇK-së që po mbahen të paraburgosur në Hagë.
Ishte së pari ministrja Mersila Doda, e më pas edhe deputeti Taulant Balla, ata që mbajtën fjalime mbrojtëse për Thaçin dhe të tjerët.
Kurti kërkon t'i lejohet 'kritika'
Albin Kurti në këtë mbledhje të përbashkët të Kuvendeve, ishte mes të paktëve që nuk kishte vënë figurën e dy flamujve, atij të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Madje, edhe deputetë të partisë së tij, Vetëvendosjes, u panë me figura të tilla në xhaketat që mbanin veshur.
Kryeministri në fjalën e tij foli edhe për shqiptarët si “garantues të të drejtave të minoriteteve”.
Ai po ashtu u shpreh se sipas studiuesve “deklarata e pavarësisë e vitit 1912 ishte shkruar nga Luigj Gurakuqi”, ndërkohë që citoi edhe disa fjali të tij për 28 nëntorin.
"Prandaj, duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në hapësirat publike të njëri-tjetrit," - u shpreh kryeministri, duke përmendur personalitete që sipas tij nuk ishin mjaftuar me problemet e trevave prej nga vinin.
"Ne duhet të pranojmë kritikat e njëri-tjetrit," - vazhdoi ai.
Kryeministri i Shqipërisë
Edhe kryeministri i Shqipërisë ishte ceremonial në fjalën e tij, megjithëse vlen të përmendet që nuk i dinte as mbiemrin kryekuvendarit tonë, Glauk Konjufcën. "Zotëri Konjuvska," - iu referua ai.
Ndërkohë, më pas nisi të recitonte edhe një poezi nga Lasgush Poradeci por në fund nuk harroi që të përmendte Hashim Thaçin.
“Ata që i hapën rrugë mundësive që ne patëm më pas. Një pjesë të mundësive ne shqiptarët i shfrytëzuam, një pjesë të mundësive i huqëm. Në një pjesë të konsiderueshme të bashkëjetesës tonë, bëmë çmos për ta penguar njëri-tjetrin herë me suskes herë pa sukses. Kjo është një ditë e mirë, e bukur, fryëmzuese edhe për këtë pamje që ka mbledhur të gjithë bashkë pavarësisht nëse do të donin apo s’do të donin ta pranonin njëri-tjetrin edhe në një mahallë”, tha Rama.
“Dy emra do të sjell në vëmendje pa të cilët nu kuptohet ardhja deri në këtë ditë e as vazhdimësia përtej kësaj dite: lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këto lidhen me Ibrahim Rugovën njeri i munguar sot, dhe Hashim Thaçi, një tjetër i munguar i madh sot në këtë sallë që është ndarë përkohësisht në një mision që vazhdon”, përfundoi fjalimin e tij Edi Rama.