Konjufca që pranoi kombin kosovar, tash thotë "rrnoftë kombi shqiptar"
Glauk Konjufca ka mbajtur një fjalim interesant në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë gjatë mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve të dy shteteve fqinjë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Konjufca gjatë fjalimit të tij përmendi heronjtë kombëtarë.
“Të gjithë heronjtë tanë luftuan e ranë për kombin tonë, meqë e kishin në zemër 28 nëntorin,” – tha z. Konjufca.
Kryekuvendari ynë përmendi edhe sakrificat dhe lavditë historike përgjatë tridhjetë viteve të fundit.
Ndërkohë, ai përmendi edhe “miqësinë e thellë dhe të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).”
“Historia na ka mësuar se për aq sa duhet të festojmë, duhet edhe të sakrifikojmë,”- tha z. Konjufca, duke përmendur agresionin rus në Ukrainë dhe agresivitetin e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës.
“Ne do të mund të shënojmë arritje të mëdha si komb vetëm nëse e kombinojmë mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjemprehtësinë e Arbën Xhaferit,” – u shpreh z. Konjufca.
Asnjë nga këto personalitete, përmes atributeteve të të cilëve do të mund të arriheshin gjëra të mëdha si komb, nuk është nga Shqipëria.
Më pas, megjithatë ai përmendi edhe termin “kombëri” nga Sami Frashëri, në librin e tij “Shqipëria, ç’ka, ç’është dhe ç’do të bëhet”
“Rrnoftë dita e flamurit, rrnoftë kombi shqiptar” – tha z. Konjfuca në përfundim të fjalës së tij.
Por, sa i përket kombit ai kishte pasur krejtësisht tjetër mendim. Ai në fakt, kishte pranuar ekzistencën e kombit kosovar duke u ankuar që Serbia nuk e njihte atë.
“As Serbia nuk na pranon neve si komb, nuk na pranon si Kosovë... dmth a e ke pa Kosova nuk ekziston. Ata dëshirojnë të flasin për neve me Edi Ramën. Dmth për Serbinë nuk ekziston Kosova. Ashtu si për Putinin nuk ekziston kombi ukrainas. Kështu që pa u zgjidhë këto dy problematika, lej targat ti,” – ishte shprehur z. Konjufca.
