Rrena e Muratit se "rritja reale e ekonomisë ishte në linjë me pritjet", çka deklaronte në 2022-ën? - NACIONALE

Rrena e Muratit se "rritja reale e ekonomisë ishte në linjë me pritjet", çka deklaronte në 2022-ën?

2 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Dukuria e interpretimeve gjysmake e përdredhëse të treguesve ekonomikë është shndërruar pothuajse në një praktikë të zakonshme të pushtetit. Ministri i Financave Hekuran Murati deklaroi së fundmi se “ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen” duke bërë disa krahasime me pushtetet e kaluara. Për vërtetësinë e këtyre, kreu i Financave ka marrë reagime të ashpra nga ekonomistët e opozitës. Por ajo që “vret syrin” në pretendimet e Muratit është deklarata e pavërtetë se rritja reale “ishte në linjë edhe me pritjet”.

Pas postimit në Facebook ku kreu i Financave pretendon se me Qeverinë Kurti “ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit” krahasuar me qeveritë e kaluara për 3 vite, reagimi i opozitës ishte i shpejtë duke akuzuar Muratin se po proklamon rritjen duke relativizuar në kohë krahasimet e ndryshme të treguesve ekonomikë të vendit me përjashtim të faktorëve si inflacioni.

"Derisa gjatë këtij mandati ka pasë inflacion enorm mbi 23% në kumulativ (2021: 3.4%; 2022: 11.6%; 2023: 5%; shkurt 2024: 2.2%), janë dhënë mbi 240 milionë euro tenderë njëburimor e investimet kapitale të nivelit qendror në 2023 janë sa ato të vitit 2017 vetëm 349 milionë euro", kundërargumentoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Por ajo që bie në sy në deklaratat e ministrit ishte pretendimi se rritja ekonomike prej 3.96 për qind ishte “në linjë edhe me pritjet tona [qeverisë Kurti]”, një deklaratë që rezulton të jetë një gënjeshtër e madhe.

“Sipas ASK-së, për TM4 2023 rritja reale e ekonomisë ishte 3.96%, gjë që ishte në linjë edhe me pritjet tona.” – shkroi Murati në Facebook.

Nga pohimet e zotit Murati, opinioni publik mund të “hipnotizohej” lehtësisht nëse nuk do të ishte deklarata e tij në nëntor 2022, ku ndër të tjera deklaronte më poshtë: “Parashohim që trendi i rritjes të vazhdoj edhe vitin e ardhshëm ku kemi projektuar një rritje reale 5.5%.”

Pamje: Ekonomia Online.

Ndryshe nga se pretendohej në postimin e Muratit, rritja ekonomike rezulton të jetë rreth 1.5 për qind më e ulët se pritshmëritë e vetë qeverisë Kurti.

Për kontradiktat në deklaratat e z.Murati ka reaguar edhe koordinatori i Departamentit të Financave të PDK-së, Arben Mustafa, i cili i ka kujtuar Muratit se pritjet e qeverisë për vitin 2023 ishin 5.5 për qind.

“Jo zotni, pritjet e juaja në projekt-buxhetin për vitin 2023 kanë qenë se rritja ekonomike do të jetë 5.5%, ndërsa keni përfunduar me vetëm 3.3%!”, shkroi ai ndër të tjera.

Mustafa më tej theksoi se rritja rritja reale ekonomik e vitit 2023 rezulton më e ulët krahasuar me mesataren e viteve para se qeverisë Kurti.

“Norma reale e rritjes ekonomike për vitin 2023 po del të jetë jo më shumë se 3.3%, që është dukshëm më e ulët sesa mesatarja prej rreth 4.6% para se të vinte Albin Kurti në pushtet.” – tha ai.

Lajme të ngjashme