Kërkohet shkarkimi i Riza Muratit, drejtorit në polici që u denoncua nga gruaja për dhunë - NACIONALE

Kërkohet shkarkimi i Riza Muratit, drejtorit në polici që u denoncua nga gruaja për dhunë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Dje gazeta Nacionale publikoi rrëfimin e L. Muratit, e cila e denonconte edhe publikisht për dhunë, pasi më parë e kishte lajmëruar edhe Policinë e Kosovës, bashkëshortin e saj, të dyshuarin Riza Murati, i cili është drejtor për hetime kundër trafikimit me qenie njerëzore në polici. Në lidhje me këtë rrëfim, ka pasur shumë reagime, ndërsa është kërkuar edhe shkarkimi i drejtorit Murati.

Organizata feministe “Fourth Wave” ka kërkuar shkarkimin e Muratit, duke shkruar se janë të shtangur nga rrëfimi rrëqethës i zonjës Murati.

“Kërkojmë që Riza Murati të shkarkohet menjëherë nga detyra, dhe të ndiqet penalisht për veprat penale të kryera. Shteti i Kosovës duhet të ndërmarrë veprime menjëherë për të mbrojtur viktimën dhe për të garantuar sigurinë e saj.

Në solidaritet me gruan e cila doli publikisht dhe të gjitha të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.” – shkruhej në reagimin e kësaj organizate joqeveritare.

Duke komentuar rastin në fjalë, Petrit Zogaj, analist i njohur, vlerësoi se në këtë rast “ka një zingjir kriminal”.

“Këtu ka një zingjir kriminal në vijë me komandën e Policisë. Duhet vendim politik, e jo t’i lihet inspektoriatit. Rasti është raportu edhe në inspektoriat, e asnjë vendim. Ky dhunuesi ushtron detyrën pa asnjë shqetësim” – ka shkruar Zogaj.

Ndërsa analisti tjetër, Shenoll Muharremi, shkroi se është i tronditur nga rrëfimi i zonjës Murati.

“I tronditur me dëshminë e kësaj motre që ka bërë për kërcënimet, rrahjet dhe torturat nga burri i saj i cili është zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Kjo është një situatë e rëndë për shkak së bëhet fjalë për institucionin që duhet të i mbrojë të tjerët. Ftoj PK të ndërmerr masa menjehëre kundër personit në fjalë dhe të bëjë atë që duhet për të mbrojtur kredibilitetin e Policisë së Shtetit. Gjithashtu duhet të zhvillohet një hetim i pavarur për pretendimit rreth neglizhimit të rastit në fjalë nga organet e rendit dhe ligjit. Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës gjithashtu duhet të konsidertojnë seriozisht ndërmarrjen e një vettingu në polici (dhe ndoshta institucionet tjera të sigurisë), së paku në pozitat e larta, që mund të përfshijë nëse ka nevojë edhe testimin e shëndetit mendor të pjesëtarëve të caktuar.”shkroi dje Muharremi.

Në lidhje me këtë rast kanë reaguar edhe Agon Maliqi, Berat Buzhala, Neri Ferizi e shumë emra të tjerë të njohur në sferën publike.

Sjellim ndër mend që Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 mars të këtij viti ka vendosur ma aktvendim që të lëshohet urdhri mbrojtës për zonjën Murati. Në këtë aktvendim, të dyshuarit Riza Murati i ndalohej që të ngacmonte e shqetësonte viktimën.

Tutje, drejtorit Murati i ndalohej që t’i afrohet viktimës më afër se në distancë prej 50 metra në ambiente publike dhe 100 metra nga vendbanimi i saj.

Polici Murati është duke u hetuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka ndërmarrë disa veprime hetimore lidhur me rastin në fjalë dhe ka komunikim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të cilës i janë përcjellë raporte/ deklarata lidhur me këto veprime hetimore.

IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka njoftuar edhe Mbrojtësin e Viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për Urdhër Mbrojtës në gjykatën kompetente.

IPK është e njoftuar lidhur me Urdhrin Mbrojtës nga Gjykata Themelore në Prishtine dhe se ky urdhër është duke u duke u implementuar institucioni përgjegjës.

IPK është duke ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore Mitrovicë dhe në bazë të gjeturave të hetimit do të ndërmerren masat e nevojshme” – thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Lajme të ngjashme