Rizvanolli s'i zbut llafet ndaj minatorëve: “U morëm vesh shumë mirë” – Opozita: “Turpërim i të gjithë qeverisë”
I kishte renditur para vetes minatorët – tash e tre muaj në predikament mbijetese, sepse pa paga – duke u shtruar një pyetje të rëndë dhe akuzuese: kush po vjedh?
Kjo situatë e pahijshme assesi nuk u kapërdi nga publiku dhe akterët politikë të cilën e panë për ‘poshtërim’ të punëtorëve të minierës nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili s’ka as arsye, bazë ligjore e kompetencë të thërrasë për llogari para vetes minatorë të Trepçës dhe t’u kërkojë të dorëzojnë “hajnin”.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sërish u qëndroi toneve të njëjta se me minatorët “u morëm vesh shumë mirë” duke mos u distancuar nga situata që u regjistrua dje dhe që ngjalli reagime të mëdha në vend.
“Me shumë kënaqësi do të bashkëbisedoj me ata/o që janë sinqerisht të interesuar për sfidat e Trepçës e çfarë po ndodh aty, e jo thjesht për të shtrembëruar e keqpërdorur vështirësitë e ndërmarrjes për klikime e poena politike”, reagoi sërish Rizvanolli.
Në një reagim më të fundit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e quajti “turpërim të të gjithë qeverisë” praninë e Xhelal Sveçlës të shoqëruar nga truproje të shumta; por edhe “të ministres së Ekonomisë në veçanti”.
“Në vend se t’i përmirësojnë kushtet për minatorët duke bërë investime, duke gjetur tregje për shitje të mineraleve, duke sjellur investitorë të jashtëm përmes partneriteteve strategjike me shtetet mike për të përfituar edhe politikisht si shtet, këta kërkojnë llogari nga minatorët për dështimet e veta. Janë këta dështakë që kanë emëruar Bordin dhe Menaxhnentin e Treçës, e jo minatorët”, shkroi deputeti Hoti,
“Mashtrimet do të marrin fund së shpejti”, shkroi Hoti, duke e marrë për të mirëqenë se premtimet madhore e më shumë se njëdekadëshe të Vetëvendosjes për Trepçën kanë qenë veç “propagandë”.
Edhe Armend Zemaj, deputet i LDK-së, reagoi ashpër ndaj Sveçlës duke shkruar se “minatatorët edhe mund t’i mashtroni siç i keni mashtruar, por hajna nuk mund t’i bëni kurrë”.
“Minatorët ishin dhe do të jenë krenaria e Kosovës! Hajnit i gjeni në 1805 tenderë sekret tuaj, në më shumë se 240 milion nga këta tender, në miliona keqpërdorime në barna, në 31 milion shpenzime të luksit, në bordet që ju i keni kapur, e në fondet që ju i keni krijuar dhe i mbani sekret”, shkroi Zemaj.
Ndonëse në videon e regjistruar shihet teksa minatorët gjenden moralisht të lënduar nga pyetjet dhe akuzat e Sveçlës, Rizvanolli e paraqet sikur “bashkëbisedimi që kishim dje me me minatorët e të tjerët ishte jashtëzakonisht i vlefshëm, i hapur e i sinqertë”.
Vetëvendosja që ka vendosur menaxhmentin e ndërmarrjes Trepça, tash kërkoi faj në mesin e minatorëve. “Në Trepçë përfundimisht duhet të ndahet punëtori nga jo-punëtori, i drejti nga keqpërdoruesi, puna nga krimi. Padrejtësia e keqpërdorimi kanë kaluar shumë gjatë të fshehura prapa ‘djersës së minatorit’”, shkro Rizvanolli.
“Nuk ka kufi për vlerën që jemi të gatshëm për të investuar në Trepçë si Qeveri, mirëpo kjo do të ndodhë vetëm kur të vihet në vend drejtësia”, ka shkruar ajo.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se nuk e ka të qartë pse Sveçla ka shkuar aty dhe se ministrin në fjalë nuk e lidh asgjë me këtë ndërmarrje.
“Jo për neve është e paqartë për Sveçlën, por të ndalume nuk e ka, por nuk është diçka që lidhet me ta. Nuk e shohim as pozitive as pengesë pse ka ardhur. Çdo qytetar të drejtë, mirëpo në rrethanat me Trepçën nuk ndërlidhet diçka”, është shprehur ai.
Ai e ka dënuar sjelljen e arrogante të zyrtarit qeveritar ndja minatorëve.
“Për mua është nivel i ulët me i thanë ministri minatorit kallëxoni kush vjedhë. Ministria e ka hetuesin, janë organet e rendit që duhet me u marrë me këtë punë. Duhet me i gjete ata, nuk është zor. Keqpërdoruesit i ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit. Minatori më i pafajshmi është”, tha Jonuzi për Nacionalen.
Jonuzi ka bërë me dije se minatorët ende nuk e kanë marrë pagën e korrikut.
“Hala pagën e korrikut nuk e kanë paguar, edhe po këyqrin me na ndëshku për shkak të keqmenaxhimit, minatorët me pagu koston për këtë”, ka thënë Jonuzi, duke përmendur tendencën e Qeverisë për t`i dënuar minatorët.