Rikthimi i Osmanit në LDK, i vështirë: Bajrami e Hoti ia kujtojnë dëmet që i shkaktoi partisë - NACIONALE

Rikthimi i Osmanit në LDK, i vështirë: Bajrami e Hoti ia kujtojnë dëmet që i shkaktoi partisë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK pas përfundimit të mandatit si presidente nuk duke aq i lehtë. Ndonëse kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ia ka hapur derën Osmanit, zyrtarët e lartë të kësaj partie mendojnë se një gjë e tillë nuk është aq e thjeshtë.

Deputetët më aktiv të LDK-së në raportin me kritiken ndaj Qeverisë Kurti ia kanë përmendur dëmet që Osmani ia ka shkaktuar LDK-së me largimin e saj nga partia.

Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti kanë vlerësuar se kalimi i Osmanit në taborin e Albin Kurtit ka qenë faktori kryesor që VV-ja kishte fituar mbi 50 për qind dhe ishte përgjysmuar LDK-ja.

Ish-shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se rikthimin e Osmanit në LDK nuk e sheh si shumë të natyrshëm.

Në emisionin ‘Pressing’ në T7, ajo ka treguar për lëndimet që Osmani ia ka shkaktuar LDK-së.

Unë nuk jam njëra prej atyre që kthimin e znj. Osmani e shoh krejt të natyrshëm dhe shumë të lehtë, për shkak të krejt gjanave që i shpjegum deri më tani. Më lejoni t’ju them që zonja Osmani nuk ka qenë në studime gjashtë shtetit që gjashtë vite, që me u kthy qaq lehtë, ka qenë në studime po kthehet dhe po e gjen pozitën ku ka qenë”, ka deklaruar Bajrami, duke përmendur detaje tjera.

Në vitin 2021 zonja Osmani ka dalë prej LDK-së, ia ka shkaktu një humbje të thellë LDK-së, e ka rritur eksponencialisht z. Kurti prej një rezultati 25 për qind në rezultat 50 për qind. Në atë kohë, elektorati jonë, besimtarët tanë, janë hidhëru shumë me zonjën Osmani. Atyre hidhërimi s’ju ka kalu edhe sot. Unë besoj që z. Abdixhiku edhe strukturat vendimmarrëse të LDK-së duhet me e bë një analizë. Me e pa se si do të jetë pritja e znj. Osmani. Të pyesin, të bëjnë matje, të dalin në terren dhe të shohin se çfarë net-efekti ka me pas sjellja e saj në LDK. Edhe pse po e them se jemi tu folë hipotetikisht”, ka thënë më tej deputetja e LDK-së.

Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shprehur skepticizmin e tij për një rikthim të tillë.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka përendur dëmet që Osmani ia ka bërë LDK-së me kalimin në taborin e Kurtit.

Një gjë është e vërtetë, dëmet që i janë shkaktuar LDK-së nga ajo personalisht i kanë kushtuar vendi dhe i kanë kushtuar LDK-së. Pas pesë viteve ende i kemi pasojat e veprimeve të saj. Asaj i ka dhënë LDK-ja gjithçka që mund të ofroi partia apolitike për një anëtar të vetin. E ka kandiduar për kryeministër dhe e ka zgjedhur kryetar të Kuvendit. Veprimet që i ka ndërmarr ajo para 5 viteve janë jashtë çdo etike të sjelljes politike”, është shprehur Hoti.

Në anën tjetër, më i hapur për këtë rikthim është shprehur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Para disa ditë, ai ka bërë me dije se LDK-ja e ka derën e hapur për ata që besojnë në këtë parti.

Besoj që Osmani është Presidente edhe për 25 ditë. Nuk besoj që i ndihmoj presidencës nëse i jap ngjyrim partiak. Pas 25 ditëve mendoj që ka hapësirë të shkëlqyeshme dhe të rrallë të ndodhë një gjë për të cilën jam shumë i interesuar të bëjë bashkimin e madh institucionalistëve të djathtës, të dashamirëve të republikës, në një lëvizje të madhe pro-perëndimore, zhvillimore, të matur e të ditur, që ofron dritë të vërtetë për vendin. Dhe në këtë kuptim hapësira diskutuese me Vjosën është më e mirë se që ka qenë ndonjëherë më parë. Do të ulemi të flasim. Patjetër. LDK i hap dyert për ata që besojnë. Natyrisht se Osmani e ka vendin e vet të padiskutueshëm. Bashkim ose bashkëpunim duhet parë”, ka thënë Abdixhiku.

Mundësia e rikthimin të Vjosa Osmanit është hapur pasi Osmani e ka prishur aleancën me kryetarin e VV-së, Albin Kurti. Ndonëse nuk ka dhënë shumë detaje, Osmani ka bërë me dije se pas mbarimin të mandatit si presidente, mandat ky që i skadon më 4 prill, do të angazhohet politikisht.

Lajme të ngjashme