Rikthehet debati për shaminë, organizatorët e kampanjës dhe Nagavci përplasen në distancë
Udhëzimi Administrativ që përcakton kodin e veshjes nëpër shkolla, është rikthyer sërish në temë kryesore. Një konferencë për media e ministres, Arbërie Nagavci ku ajo vlerësoi se Udhëzimi do të mbetet në fuqi, ka nxitur reagimin e organizatorëve të kampanjës për lejimin e shamisë në shkolla. Gjithë kjo betejë, pritet ta ketë epilogun në gjykatë.
Një konferencë për media që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e kishte thirru për të folur rreth përgatitjeve për vitin e ri shkollor, e riktheu në diskutim çështjen e shamisë në shkolla.
Nagavci në këtë konferencë fillimisht tha se nuk do t’ia ndalojnë askujt shkollimin. Megjithatë, paralajmëroi se Udhëzimi Administrativ do të mbetet në fuqi.
“Nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për shaminë, nuk ka pasur asnjëherë aq sa unë di. Gjithë kjo fushatë që e shihni kohën e fundit nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme. Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe institucioneve publike. Udhëzimit administrativ të cilit iu kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta”, tha Nagavci.
“Është e vërtetë që ky udhëzim ka disa çështje ligjore sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHTI-t, por rekomandimet janë dhënë që ai udhëzim të mbetet në fuqi. Udhëzimi do mbetet në fuqi dhe do shohim si e rregullojmë tutje në aspektin formal ligjor”, deklaroi më tutje ministrja e Arsimit.
E kjo deklaratë nuk është pritur fare mirë nga organizatorët e kampanjës për bartjen e shamisë në shkolla. Durim Berisha, njëri nga organizatorët, e ka akuzuar Nagavcin që nuk e ka mbajtur fjalën.
“U korit edhe ministrja e arsimit znj. Arbërie Nagavci, e cila na lutej e pergjerohej me e ndal fushaten ne rrjete sociale, sepse nuk e duronte dot presionin publik. Dhune e konsideronte nje koment dhe nje hashtag. Dhune ka qene ajo çka LVV i bente institucioneve te Kosoves, e jo fushatat demokratike”, ka shkruar Berisha.
Ai në tërësi pushtetin, e ka vlerësuar si frikacak e tinëzar.
“Qe ne start jemi pergatitur qe kete çeshtje ta fitojme permes rrugeve gjyqesore. Ashtu edhe do te ndodhe. Por ku po mbeteni ju? Ku po dalloni nga paraardhesit tuaj? Ju dalloni nga ta vetem per faktin se jeni frikacak, tinezar e shume ma t'padijshem se ta”, thuhet më tutje në postimin e tij.
“Znj. Ministre! Ne gjyq do te kete rendesi se çka thote ligji, e jo forumet e partise. Kete here s'do te jem duke ju ndihmuar, si me kerkonit ndihme vazhdimisht. Kete here do jemi perballe. Let's get the party started”, theksohet më tej.
Gjithë ky debat vjen pak ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor më 1 shtator.
Si nisi debati për shaminë?
Durim Berisha e Liridon Kurti, ishin dy organizatorët e iniciativës për bartjen e shamisë në shkolla. Ata kishin bërë edhe një peticion online, i cili ishte nënshkruar nga mijëra persona.
Megjithatë, gjithë organizimi u ndalë. Kjo pasi organizatorët e kampanjës thanë se kanë marrë premtime nga Ministria e Arsimit që do të ndryshohet Udhëzimi Administrativ.
“Njoftojme opinionin publik se pas konfirmimit se kërkesa për anulim të nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 është marrë serioziosht dhe garancive që kjo dispozitë do të fshihet para fillimit të vitit të ri shkollor, kampanja #ndryshojeni_ua_për_shaminë shpallët e përfunduar. Peticioni online për 48 orë ka mbledhur mbi 20 000 nënshkrime nga të cilat 45% femra. Të dhënat personale do të asgjësohen në bazë të legjislacionit në fuqi.”, kishte shkruar Berisha në profilin e tij në “Facebook”.
Për këtë çështje, kishte reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“... nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike, duhet të jenë të lirë...”, tha Kurti.
Ndërkohë që prag për çështjen e shamisë e përmendi moshën 16-vjeçare, me arsyetimin se është prag për shumë gjëra.
E me këtë rast, Kurti vendosi që këtë çështje ta shndërrojë në një tjetër kauzë – lejimin e votimit në këtë moshë.
“Moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra. Në të ardhmen e afërt nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjet. Këtë moshë e shohim si prag për shumë gjëra, sikur edhe për bartjen e shamisë”, tha Kurti.
Epilogu i gjithë këtij debati, po del se do të përcaktohet në institucionet e drejtësisë.