Rezervat e shtetit: Qysh e kurdisi tenderin Rozeta Hajdari me kritere ekstreme, të cilat më pas nuk ia kërkuan kompanisë fituese?
Kur rezerva shtetërore u klasifikua si sekrete, pasi u dhanë 10 milionë euro, ministrja Rozeta Hajdari bashkë me Ridvan Muharremin, Irfan Lipovicën e Hafiz Garën, nisën punën për ta lidhur marrëveshjen me kompaninë turke.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, me qëllim që të përjashtohet konkurenca dhe të fitojë kompania “Yafe Turizm Insaat Sanayi” e lidhur me Ridvan Muharremin, MINT-i do të paraqiste disa kritere ekstreme.
Në mesin e provave materiale të paraqitura nga dy prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, është edhe kërkesa për ofertim e datës 26 shkurt 2022. Në atë kërkesë, ishte edhe një kusht ekstrem: sigurimi i ekzekutimit prej 10% të vlerës totale të kontratës për kohën e furnizimit.
Megjithatë, ky kriter ishte vetëm sa për t’i përjashtuar operatorët vendor, pasi i njëjti kriter nuk iu kërkua kurrë kompanisë fituese, raporton gazeta Nacionale.
“Nga kërkesa për ofertim e datës 26.02.2022 e dërguar përmes Emailit të së njëjtës datë, vërtetohet fakti se Hafiz Gara i është drejtuar afaristëve vendor që ushtrojnë veprimtarinë e importit të grurit dhe kanë kapacitet për deponim të grurit, që të njëjtit t’i dërgojnë ofertat e tyre për furnizim dhe deponim të grurit për nevoja të rezervës shtetërore të mallrave më së largu deri me date 28.02.2022. Referuar kërkesës në fjalë, është vërtetuar fakti se operatorëve ekonomik të cilët ofertojnë, u është kërkuar të bëjnë sigurimin e ekzekutimit prej 10% të vlerës totae të kontratës për kohën e furnizimit”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Nacionale.
“Përmes kësja prove vërtetohet edhe fakti tjetër se të pandehurit me qëllim të eleminimit të kokurencës në kërkesën për ofertim, kanë paraparë kriterin e sigurimit të ekzeutimit prej 10% të vlerës totale të kontratës, kriter ky që nuk është aplikuar më pas për operatorin ekonomik fitues.Nga kjo prove vërtetohet fakti se të pandehurit kanë favorizuar “Yafe Turizm Insaat Sanayi” për faktin se kur i njëjti është përzgjedhur të jetë fitues i kontratës me furnizim me grurë, është hequr kriteri i sigurimit të kontratës prej 10%, kriter ky që u është kërkuar për kompanitë e tjera”, thuhet më tutje në aktakuzë.
Fakti se krejt tendenca ishte për t’ia dhënë tenderin kësaj kompanie, dëshmojën provat se kompania “M&SIllos” përmes Emailit, kishte shprehur gatishmëri ta furnizonte shtetin me grurë, madje edhe brenda javës.
“Sead Shehu përmes Emailit kishte kërkuar nga Hafiz Gara që “m&Sillos” të konsiderohet si partner në këtë process. Kjo prove vërteton faktin se përkundër që kjo kompani kishte ofruar grurin e kërkuar, ishte injoruar në tërësi”, thuhet më tutje në aktakuzë.
Në aktakuzë më tutje ofrohen dëshmi se ka pasur edhe kompani të tjera nga rajoni që kanë ofertuar, madje edhe me çmim më të lirë, por që sërish nuk ishte trajtuar nga Rozeta Hajdari dhe të tjerët.
Si rezultat, nga këto prova dëshmohet se kurdisja e tenderit ka qenë e perfeksionuar nga tre të pandehurit, e që si rezultat, Prokuroria ka kërkuar që të njëjtit të shpallen fajtor.