REL: Vendimi për vizat së shpejti, hyn në fuqi më 1 nëntor 2023
LAJMI ËSHTË PËRDITËSUAR ME INFORMACIONET MË TË REJA QË NDODHEN NË NËNTITULLIN E FUNDIT*
Vendet anëtare të BE-së janë përafruar me qëndrime rreth liberalizimit të vizave për Kosovën sipas Radio Evropës së Lirë në një prej lajmeve më të rëndësishme sa i përket këtij procesi gjatë këtij viti.
Në takimin që është mbajtur sot të grupit punues, Evropa e Lirë mëson se vendimi pritet të merret së shpejti, kurse hyrja në fuqi e vendimit pritet në nëntor të vitit 2023.
Siç mëson gazeta në fjalë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.
“Shtetet që e kanë kundërshtuar lidhjen me ETIAS, e kanë argumentuar këtë me faktin se ai sistem mund të mos jetë gati as më 1 nëntorë të vitit 2023, dhe kjo do ta shtynte përsëri hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën. Prandaj, sipas interpretimit të disa diplomatëve, formulimi i ri do të lërë hapësirë që liberalizimi të hyjë në fuqi edhe në rast se do të shtyhet përsëri zbatimi i sistemit ETIAS,” - thuhet në raportimin në fjalë.
“Presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash duhet të përgatis një draft të ri të propozimit, i cili do të futet në procedurën e heshtur në Këshill në nivelin e grupit punues. Nëse asnjë shtet nuk e kundërshton tekstin e ri deri në një afat të caktuar, me gjasë deri në mesin e javës që vjen, atëherë kjo dosje do të bartet për vendim tek ambasadorët e vendeve anëtare në Këshill, trupin e njohur si Coreper”, thuhet në raportin e REL.
Diskutimi i së enjtes në grupin punues ishte i dyti me radhë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Diskutimi i parë ishte zhvilluar më 13 tetor dhe atëherë shumica e madhe e vendeve e kishin mbështetur liberalizimin e vizave, asnjë nuk ishte shprehur kundër, por Franca kishte kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.
Franca kishte kërkuar që liberalizimi i vizave për Kosovën, të kushtëzohet me hyrjen në fuqi të Sistemit ETIAS.
Megjithatë, duket se shtetet kanë arritur në një kompromis. Pas frikës së disa shteteve se ETIAS mund të mos hyjë në fuqi as në nëntor 2023, atëherë shtetet kanë rënë dakord që të përcaktohet afati i saktë kur kosovarët do të mund të lëviznin lirshëm.
Çka është ETIAS-i?
ETIAS, sipas uebfaqes zyrtare të saj, është një sistem i informacionit dhe autorizimit të udhëtimit në Bashkimin Evropian.
Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.
"Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shchengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori 2023, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. ETIAS do të bëhet një kërkesë e obligueshme për hyrje.", shkruhet në uebfaqen e ETIAS.
Tutje, në uebfaqe sqarohet se nëpërmjet këtij sistemi do të autorizohen për vizitë të gjithë personat që vijnë nga vendet e Schengenit e që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.
“Vendet që përbëjnë këtë rajon specifik, pranojnë heqjen e kufijve të brendshëm me vendet e tjera anëtare. Aktualisht ka më shumë se 50 vende që do të duhet të aplikojnë për heqjen e vizave ETIAS kur vizitojnë zonën Schengen. ETIAS mund të jetë i disponueshëm në më shumë vende në të ardhmen.”, thuhet në faqen zyrtare të ETIAS-it.
Për sa mund të kryhet?
Në një intervistë për gazetën Nacionale, analisti Demush Shasha kishte dhënë sqarimin si vijon:
“Në mënyrë që Kosova të përfitojë nga liberalizimi i vizave, ligjërisht duhet ndryshuar ish-rregullorja 539/2001 apo sot rregullorja 2018/1806 e BE-së, e cila përcakton se cilat shtete mund të lëvizin pa viza në Zonën Shengen. Për të ndryshuar rregullorja, ajo duhet kaluar nëpër një proces joformal negocimi (trialogu) në mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së. Pas përfundimit të procesit joformal, rregullorja duhet miratuar formalisht në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe mbledhjen e rregullt të Këshillit të Bashkimit Evropian. Tani, në një skenar shumë optimist, kjo procedurë mund të përfundojë deri në fund të këtij viti. Sidoqoftë, unë mendoj se skenari më realist është pjesa e parë e vitit tjetër.”
*PËRDITËSIM
Sot është mbajtur diskutimi i dytë i Grupit Punues të Këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por, as në këtë mbledhje po del se nuk ka pasur konsensus.
Kjo pasi Franca ka kërkuar që liberalizimi i vizave të lidhet me sistemin ETIAS, kurse disa shtete e kanë kundërshtuar.
Presidenca çeke ka njoftuar megjithatë, se ka pasur përparim në negociata.
“Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat e Këshillit të BE-së mbajti diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave me Kosovën nën Presidencën Çeke. Shtetet Anëtare diskutuan propozimin për kompromis të Presidencës mbi kërkesën për të lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionimin e sistemit ETIAS. Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit konsensus; vendet anëtare, megjithatë, bën përparim të rëndësishëm në negociata. Presidenca do t’i rikthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të përpiqet të përfundojë sa më shpejt punën për këtë çështje të rëndësishme”, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e fundit të mbajtur më 13 tetor, Franca ka kërkuar që liberalizimi të kushtëzohet me vënien në funksion të sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, të harmonizojë politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian, si dhe të rrisë kontrollin e kufijve dhe vazhdimin e riatdhesimit të atyre që duhet të lëshojnë territorin e BE-së.


