REL me paralajmërim: Një qershori, “grackë” për destabilizim në veri
Lista Serbe disa herë ka paralajmëruar se nga 1 qershori serbët e verit do të mbrohen me të gjitha mjetet, siç thonë ata, kundër represionit të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se “pushtimi i veriut” ka filluar me marrjen e postit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.
Radio Evropa e Lirë raporton se “represion”, Lista Serbe e sheh gjithashtu edhe procesin e “shpronësimit në veri nga Qeveria e Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në atë rajon dhe ndjekjen penale apo arrestimin e serbëve nga autoritetet kosovare”.
“Edhe ky pushtim, si çdo tjetër, ka fillimin dhe fundin e tij. Do të përfundojë kur ta duan serbët”, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për gazetarë më 19 maj, përcjell REL.
REL gjithashu raporton se Qeveria e Kosovës ka thënë se “serbët e Kosovës, në veçanti ata në veri të vendit, janë më së shumti të rrezikuar nga vetë Lista Serbe dhe grupet kriminale që veprojnë nën diktatin e Beogradit zyrtar”.
“Respektimi i ligjit dhe kushtetutshmëria nuk paraqesin rrezik për qytetarin tonë që është i interesuar për rend dhe shërbime komunale. Të dyja këto i kanë munguar, për shkak të veprimeve dhe interesave të Listës Serbe... Ne duam sundim të ligjit dhe respektim të demokracisë që garanton paqe dhe siguri”, thuhet në një deklaratë dërguar REL-it nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Kryetari i komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, Bekë Berisha, ka thënë se ultimatumin e Listës Serbe e sheh si tentim për t’i futur në grackë institucionet e vendit.
“Po si nuk është kërcënim? Të reagosh pastaj ndaj kërcënimit dhe të përshkallëzohet situata? Këtë duhet ta menaxhojnë këta që janë në pushtet”, thotë Berisha për REL.
Rashit Qalaj, anëtar i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se ultimatumi i Listës Serbe duhet trajtuar me seriozitet nga Qeveria.
“Unë mendoj që ky kërcënim i Listës Serbe nuk është sa ‘për sy e faqe’. Unë mendoj që ajo është duke planifikuar diçka. Mirëpo, situata do të varet nga bisedimet në Bruksel [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] dhe nga qëndrimi i Beogradit në raport me serbët lokalë [në veri të Kosovës”, thotë Qalaj, shkruan REL.
Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm ndaj mesazheve që ka dërguar Lista Serbe.
“Mendoj se Prishtina duhet të kujdeset për sundimin e ligjit, por ajo të mos nxisë ose të mos japë alibi për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës - qoftë me shpronësimin që ka nxitur revoltën e serbëve të atjeshëm dhe as me ndonjë veprim tjetër. Palët duhet të përmbahen dhe të mos bëjnë veprime të njëanshme, sidomos të tilla që mund ta radikalizojnë situatën edhe më tej, sepse gjërat pastaj mund të shkojnë tepër larg”, thotë Popov.
Verolub Petroniq, nga Qendra Humane në Mitrovicë, e cila merret me çështjet e sigurisë, vlerëson se njoftimet e Listës Serbe u referohen protestave sociale. Ai thotë se ato mund të rrezikojnë sigurinë e njerëzve dhe të institucioneve të Kosovës.
“Nëse ka protesta sociale në një shkallë më të gjerë, gjithmonë ekziston mundësia që dikush nga turma të bëjë diçka kundër institucioneve”, thotë Petroniq.
Petroniq, siç raporton REL, nuk e përjashton mundësinë e destabilizimit në terren.


