REL: Ambasada e Amerikës vlerëson se Serbia e zgjodhi "Perëndimin" me stërvitjen ushtarake "Ujku i Platinit"
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, ka vlerësuar se Serbia me pjesëmarrje në stërvitjen ushtarake ka “zgjedhur perëndimin”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kështu është vlerësuar pjesëmarrja e Serbisë në stërvitjen ushtarake “Ujku i Platinit”, ku do të marrin pjesë edhe forca të armatosura të shteteve të tjera.
“Serbia ka bërë zgjedhje për të qenë pjesë e Perëndimit dhe kjo përfshin integrimin e mëtejmë me strukturat euroatlantike të sigurisë dhe ushtritë partnere.” – ka thënë zëdhënësi i Ambasadës amerikane.
“Dhe, sa më shumë që stërvitemi së bashku, aq më efektivë do të jemi në arritjen e qëllimit të përbashkët, paqja dhe stabiliteti rajonal dhe ruajtja e Evropës në tërësi, e lirë dhe në paqe.” – ka thënë Ambasada e SHBA-së në Beograd.
Tutje, ambasada e SHBA-ve ka thënë se “sa më i madh të jetë integrimi i Serbisë në strukturat e sigurisë euroatlantike, aq më e shkurtër do të jetë rruga e saj drejt anëtarësimit përfundimtar në Bashkimin Evropian”.
